07 April 2010

MESSI: ME RËNDËSI ËSHTË QË BARCELONA TË VAZHDOJË ME FITORE

image Messi: gjëja më e rëndësishme është që skuadra të vazhdojë me fitore

Ylli argjentinas, Lionel Messi, i cili shkëlqeu në mbrëmjen e së martës në “Kamp Nou”, duke shënuar katër gola në fitoren 4:1 ndaj Arsenalit, është shprehur modest edhe përkundër faktit që mediat botërore e kanë quajtur atë një futbollist që vjen nga një planet tjetër.
“Ndjehem shumë mirë, tifozët gjithmonë kanë një raport të mirë me mua. E kemi ditur se duhet të luajmë në këtë mënyrë në fushën tonë. E filluam dobët, por e mbyllëm ndeshjen në mënyrë fantastike”, ka theksuar Messi.
Sa i përket katër golave të shënuar argjentinasi nuk ka dashur të flasë shumë, duke thënë se e rëndësishme është që Barcelona t’i gëzohet fitoreve.
“Gjëja më e rëndësishme është që skuadra të vazhdojë me fitore dhe unë shpresoj se do t’ia arrijmë qëllimit, por duhet të vazhdojmë të punojmë shumë. Kanë mbetur ende një punë e madhe për t’u bërë si në Ligën e Kampionëve ashtu edhe në La Liga. Para nesh është një tjetër ndeshje e rëndësishme, ajo kundër Realit dhe duhet të qëndrojmë në këtë ritëm”, ka nënvizuar Messi. Argjentinasi është përgjigjur edhe në pyetjen e gazetarëve nëse do të mund ta përsërisë një paraqitje të tillë si ndaj Arsenalit edhe në “El Classico”, që zhvillohet të shtunën në orën 22:00 në “Santiago Bernabeu”.
“Jo, kjo do të ishte shumë e vështirë. Me rëndësi është që ndaj Realit të fitojmë, 1:0 apo me çfarëdo rezultati, sepse në fund llogaritet fitorja”, ka përfunduar Messi

No comments:

Post a Comment