29 May 2009

Spanja i përulet Barçës: Skuadra, një vepër arti

Mediat iberike, elozhe "blaugranave" të Guardiolës pas triumfit në Romë

Të gjithë përulen përpara Barcelonës. Edhe përpara Pep Guardiolës. 38-vjeçarit që në vitin e dytë të punës si trajner dhe në sezonin e parë në elitën e futbollit ka arritur atë që askush më parë në Spanjë nuk e kishte realizuar: fitoren e La Ligës, Kupës së Mbretit dhe Champions League. Festa në rrugët e Romës dhe në sheshet e Barcelonës është shoqëruar nga titujt e gazetave, që ngjasonin me thirrjet në stadiume. Mediat katalane janë shfaqur euforike pas këtij suksesi: "Më i miri në botë" (Sport), "Duke prekur qiellin" (El Periodico, që në faqen e parë kishte vendosur foton e Guardiolës të hedhur në ajër nga lojtarët), "Champions (e 3)!" (La Vanguardia). Edhe gazetat madrilene, që tradicionalisht janë armike të "blaugranave", nuk i kursejnë elozhet "Barcelona e bukur dhe kurajoze shndërrohet në princin e futbollit". "Marca" ka përdorur një titull kuptimplotë: "Kjo skuadër është një vepër arti", duke ia dedikuar faqen e parë rivalëve nga Katalunja, ku shfaqeshin të gjitha datat e "tripletës" historike. "Tricampeones!" (El Mundo Deportivo), që ashtu si edhe të tjerët nuk ka harruar t‘ia dedikojë triumfin Guardiolës, i cilësuar "Kampion legjendar". Për "El Pais", Barça "kurorëzohet si më e mira në botë". Sipas "ABC", "Evropa dorëzohet përpara Barcelonës", duke e cilësuar këtë si "Barçën që do të mbahet mend për shekuj me radhë. Barçën e Guardiolës, Barçën e La Masias, Barçën e fitores 6-2 ndaj Realit, Barçën e tregolëshave, Barçën e Romës. Përfundimisht, Barça më e mirë e të gjitha kohërave". "As" trumbetonte "Tripletë" dhe shtonte: "Kjo ushtri është e pamposhtur".

Vlerësimet për skuadrën më spektakolare të momentit nuk kanë përfunduar me kaq. "Të jesh me Barçën është maksimumi", shkruanin "Mundo Deportivo" dhe "Sport", me këta të fundit që kanë vendosur edhe një "Gracias!" me germa të mëdha. "Engjëj dhe djaj", ishte një tjetër dedikim i "As", ndërsa "Marca" përdorte një titull në anglisht "Perfect team!". "El Pais" theksonte: "Fitorja e Barcelonës festohet edhe në Sibeles", që është tempulli i tifozëve madrilenë. Nuk ka munguar as ironia ndaj e "El Mundos", e cila shkruante "Lot të bardhë", duke i kushtuar më shumë vëmendje Kristiano Ronaldos, që të mërkurën ishte veshur me fanellë të bardhë, ngjyrë që mund ta mbajë edhe në të ardhmen, duke kaluar te Reali. Mediat kanë përshëndetur edhe lojën e katalanëve: "Paraqitje dhe festë e jashtëzakonshme" (Mundo Deportivo), "E pavdekshme dhe e paharrueshme" (La Vanguardia), "Perandoria Barcelona" (Marca) dhe komenti pikant i Bernd Shuster, i cili punon edhe si analist te kjo gazetë. Mes të tjerave, ish-drejtuesi i stolit në "Bernabeu" theksonte: "Rreshtimi i Mançester në fushë më kujtoi atë të zgjedhur nga Huande Ramos për Realin e Madridit, në humbjen 6-2". Në një numër të madh faqesh u është lënë hapësirë titujve për Mesin dhe faktit që argjentinasi është pranë "Topit të Artë", por pa harruar edhe heronjtë e tjerë të Barçës, duke filluar nga Eto‘o e Pujol dhe dy talentet e mesfushës, Ksavi e Iniesta.

postuar nga danny

No comments:

Post a Comment