27 May 2009

Sot Barçelona-Mançester United, finalja e ëndrrave në “Champions League

Formacionet, pikat e forta dhe të dobëta te ekipet që synojnë “kurorën” europiane

Barcelona, kampione e Spanjës, do të ndeshjet me Mançester Junajtid, kampion i Anglisë, sonte në “Olimpiko”, për finalen e Ligës së Kampioneve. Barça synon të bëhet skuadra e parë në historinë e futbollit spanjoll, që fiton të tre veprimtaritë në harkun e një sezoni, ndërsa “djajtë” mund të bëhen ekipi i parë, që e fiton Championsin dy vjet rradhazi, që nga viti 1992, kur kjo veprimtari ndryshoi formatin dhe “braktisi” emrin e vjetër Kupa e Kampioneve.
FORMACIONET
Do të jetë habi e madhe nëse ndonjë prej trajnerëve heq dorë nga vendosja taktike, që kanë përdorur gjatë gjithë këtij sezoni. Barcelona e Guardiolës ka luajtur gjithmonë me skemën 4-3-3, ndërsa në ndeshjet e mëdha, Mançesteri i Aleks Fergusonit aplikon vendosjen 4-4-2 me Parkun dhe Gigsin në krahët e mesfushës.
PIKAT E FORTA
Barcelona e ka armën më të fuqishme te treshja sulmuese, e mbështetur nga fantazia e Injestës dhe krijimtaria e Ksavit. Eto, Mesi dhe Henri kanë shënuar sëbashku 71 gola në këtë sezon. Barça është e favorizuar nga teknika e lartë, që zotërojnë pjesa më e madhe e futbollistëve në formacion.
Pavarësisht se ka emra të tilla si Runi apo Kristiano Ronaldo dhe shënon në të gjitha mënyrat, mbrojtja është arma më e fortë e Mançesterit. Anglezët kanë nga ana e tyre edhe eksperiencën e trajnerit Ferguson, njeriun e “1000 betejave”, i cili i injekton ekipit vendosmëri dhe besim.
PIKAT E DOBETA
Barcelona ka pasur disa probleme në mbrojtje, të cilat janë thelluar në finale me mungesën e tre titullarëve, Erik Abidal, Dani Alvesh dhe Rafael Markez.
Duke menduar se Mesi dhe Injesta nuk mbrojnë aq sa duhet, atëherë Guardiola duhet të ketë kujdes nga lëvizjet e takticienit Aleks Ferguson, mjaft i aftë në shfrytëzimin e pikave të dobëta të kundërshtarit. Nga ana e tij, Mançesteri ka treguar shumë pak dobësi gjatë këtij sezoni, por duhet thënë se mesfushorët e “djajve” nuk janë krijues si ata të Barcelonës.
MBROJTJA
Guardiolës i duhet të eksperimentojë në mbrojtje për shkak dëmtimesh dhe pezullimesh. Mbrojtësit anësorë Dani Alvesh dhe Erik Abidal janë të skualifikuar, ndërsa qendërmbrojtësit Rafael Markez dhe Gabi Milito janë të dëmtuar. Kapiteni Karles Pujol do të luajë në të djathtë, Pike në qendër përkrah të “improvizuarit” Jaja Ture. Në të majtë të prapavijës mund të luajë veterani Silvinjo ose mesfushori Seidu Keita.
Te Mançesteri, Rio Ferdinand është riaftësuar nga dëmtimi në brinjë dhe do të luajë si titullar përkrah Nemanja Vidiçit dhe Patris Evrasë. Janë mbrojtësit më të mirë të botës, për të ndalur sulmin e Barçës, që ka shënuar 156 gola në këtë sezon. Portierët e të dy ekipave janë Viktor Valdes dhe Edvin Van der Sar.
MESFUSHA
Barcelona do të luajë me tri katalanas në mesfushë, futbollistë të rritur në sistemet zinxhir “blaugrana”. Injesta, Ksavi dhe Buskets do të jenë “policët e trafikut” te një ekip që falë tyre e qarkullon topin me një shpejtësi marramendëse. Injesta shënoi golin vendimtar ndaj Çelsit, Ksavi është lojtari më me shumë “asist” në Champions, ndërsa 20-vjeçari Serxhio Buskets konsiderohet si zbulimi i trajnerit Guardiola.
Përballë do të jenë Majkëll Kerrik dhe braziliani Anderson. Forcë, cilësi dhe mbi të gjitha 90 minuta vrap pas topit. Në krahun e djathtë do të luajë koreani Park, ndërsa Rajan Gigs është favorit për të zëvendësuar të skualifikuarin Fletçer, për të luajtur finalen e tij të tretë në Champions. Keita dhe Skols mund të jenë suprizat e minutës së fundit.
SULMI
Këtu preken majat… më të mirët e mundshëm. Mesi, Eto dhe Henri nga njëra anë, Kristiano Ronaldo dhe Runi nga ana tjetër. Të pesë këta futbollistë kanë bërë një sezon të mrekullueshëm dhe ndërmjet tyre do të ndajnë podiumin e “Topit të Artë”.
Ekipi i Barcelonës ka shënuar deri tani 156 gola në të gjitha veprimtaritë, nga të cilët mbi gjysmën “tredhëmbëshi” i sulmit, ndërsa Ronaldo dhe Runi mund të realizojnë në çdo moment të ndeshjes, nga çdo pozicion. Pastaj, të dy ekipet kanë sulmues cilësorë edhe në stol. Barça mund të bazohet te talenti i Bojan Kërkiçit, ndërsa Dimitar Berbatov dhe Karlos Tevez janë “kartat luksoze” të Fergusonit.

BARCELONA
(4 3 3): Valdes, Pujol, Ture, Pike, Silvinjo (Keita), Ksavi, Buskets (Keita), Injesta, Mesi, Eto, Henri.
Në stol: Pinto, Kaseres, V.Sançez, Gudjohnsen, Hleb, Kërkiç
Trajner: Guardiola

MANÇESTER U
(4 4 2): Van der Sar, O’Shi, Ferdinand, Vidiç, Evra, Park, Kerrik, Gigs (Skols), Anderson, Runi, Ronaldo.
Në stol: Foster, Nevil, Ivans, Skols (Gigs), Nani, Berbatov, Tevez. Trajner: A.Ferguson

No comments:

Post a Comment