30 May 2009

Guardiola e frymëzoi Barcelonën me pamjet nga filmi "Gladiatori:

Pas filmimit 7 minutësh, nuk i tha më asnjë fjalë skuadrës kur hyrë në fushë

[0+barcelona+man+united+josep+guardiola+up.jpg]

Pak minuta para se të zbriste në fushën e stadiumit "Olimpiko" për finalen e Champions League kundër Mançester Junajtid, trajneri i Barcelonës, Pepe Guardiola, u ka vënë futbollistëve të tij të shikonin disa sekuenca nga filmi "Gladiatori" i Rajdli Skot. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga e përditshmja spanjolle "El Pais". Është e dukshme që trajneri i blaugranëve ka kërkuar që të inspirojë futbollistët me gjestet e Rasëll Krout në rolin e Maksimus "hispaniku", gjeneralit roman me origjinë iberike, i cili, pas tradhtisë, hakmerret për vdekjen e gruas dhe djalit të tij. Videoja rreth 7-minutëshe, e realizuar nga një mik i trajnerit (gazetar i stacionit televiziv TV3), kishte të ndërthurura edhe imazhe të disa aksioneve më të mira të blaugranëve në këtë sezon. Ky filmim përmbyllej me një mesazh të sponsorëve, i cili thoshte: "Ne jemi në qendër të fushës, ne jemi të saktë, ne përpiqemi, ne jemi sulmues që mbrojmë dhe mbrojtës që sulmojmë, ne jemi të shpejtë, kundërshtarët tanë na respektojnë, jemi çdo gol që shënojmë, ne jemi ata që kërkojnë gjithmonë portën e kundërshtarëve, NE JEMI NJË". Mësohet se kur janë rindezur dritat, shumë lojtarë ishin duke qarë dhe thirrja e tyre autoinkurajuese nënkuptonte që objektivi ishte arritur. Guardiola i ka lënë të dalin në fushë pa u thënë asnjë fjalë më shumë. Në fund gjithçka ka rezultuar me sukses. Më pas nisi festa në "Olimpiko", shumë përqafime, skuadra me trofeun në duar vraponte drejt. Ishte një ndër gëzimet më të mëdha në jetën e tyre. Përqafimi mes Johan Laportës, presidentit të Barcelonës, dhe Pepe Guardiolës, trajnerit të tij shumë të ri, që u shndërrua në autorin e një triolete legjendare trofesh (Kampionati, Kupa e Mbretit dhe Champions), ishte shpjegimi i një mrekullie të madhe, të cilën vetëm futbolli mund të ta dhurojë. Më pak se një vit më parë, Pepe Guardiola, 38 vjeç e disa muaj, ishte vetëm një trajner i sektorit të të rinjve të Barçës, serbatorit më të rëndësishëm të klubit kampion Evrope: dukej një njeri i suksesit, por ngjitja në pankinën e skuadrës së parë dukej një mision i pamundur. Rajkard ishte larguar prej pak javësh dhe duhej gjetur zëvendësi, duhej prerë "kërthiza" me Ronaldinjon dhe duhej rigjeneruar pjesa tjetër e skuadrës. Pepe Guardiola pati një moment marrëzie: ai u paraqit në zyrat e Johan Laportës, presidentit, dhe i kërkoi t‘i besonte atë detyrë. "A e ndjen veten të aftë?" - e pyeti kreu i klubit, pasi më parë ishte konsultuar me Johan Kujf. "Unë po, por je ti që nuk ke guxim", do t‘i përgjigjej në mënyrë provokuese Guardiola. Ky moment i vlejti për promovimin në fushë dhe ishte fillimi i një aventure të madhe. Tani Barcelona jo vetëm ka fituar gjithçka, por edhe ka bindur me lojën e saj.

postuar nga danny

No comments:

Post a Comment