25 May 2009

Iniesta,lojtari me i mir ne bot:

Barcelona tregoi se nuk varet vetëm nga Leo Mesi, teksa Samue Eto i thur lavde mesfushorit spanjoll
Barcelona dëshmoi se nuk varet shumë nga argjentinasi virtuoz Lionel Mesi, pasi Andres Injesta thuajse i vetëm i drejtoi katalanasit drejt fitores 4 0 kundër Seviljes mbrëmjen e së mërkurës. Lojtari 24-vjeçar ishte autor i golit të parë dhe më pas krijues i aksioneve të tre golave të tjerë.
Samuel Eto, njëri prej atyre që përfitoi nga loja e bukur e Injestas, nuk i ka kursyer komplimentet për shokun e tij të ekipit. “Sa herë që Injesta futet në fushë ofron spektakël. Ai është lojtari më i mirë në botë”, ka thënë Eto në faqen zyrtare të Barcelonës pas kësaj ndeshjeje. Duke e kthyer vëmendjen te gara për titull me Realin e Madridit dhe mundësinë e fitimit të këtij titulli në “Santiago Bernabeu”, kameruansi ka thënë: “Ne fokusohemi te kalendari ynë dhe Reali tek i veti.
Nuk merakosem fare se në cilin stadium sigurojmë titullin, e rëndësishme është ta fitojmë atë. Qëllimi ynë është të përmirësohemi çdo ndeshje dhe mendoj se po ia arrijmë kësaj. Unë shpresoj të mos kemi të dëmtuar dhe do të jemi në gjendje të luajmë të gjithë deri në fund të sezonit.” Mesfushori Ksavi, autor i golit të tretë, ka shtuar: “Nuk duam t’u japim mesazh tifozëve, por duam të vazhdojmë punën tonë. Ne e marrim çdo gjë me thjeshtësi dhe punë të palodhur, duke treguar talentin tonë. Pavarësisht rezultatit të ndeshjes në Madrid, ne nuk do të dekurajohemi. Asgjë nuk është e lehtë dhe ne duhet të punojmë shumë për gjithçka.”
Në fund, autori i golit të katërt, përfituesi i asistit të tretë të Injestas, Tierri Henri, i ka paralajmëruar shokët e skuadrës duke u kutjuar se nuk kanë fituar ende asnjë trofe. “Ne jemi duke bërë atë që duhet të bëjmë, domethënë po luajmë mirë dhe fitojmë, edhe pse të fitosh është më e rëndësishme. Jemi në finale të Kupës së Mbretit, në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe kryesojmë La Liga-n. Jemi shumë pranë trofeve, por nuk kemi fituar ende asgjë”, ka theksuar francezi Henri.
Del Boske, pas Spanjës vjen “pensioni”
Visente Del Boske, trajneri aktual i Spanjës, ka pohuar se do të dalë në pension kur të lërë drejtimin e kampionëve të Evropës. Ai ka pohuar se drejtimi i përfaqësueses spanjolle do të jetë puna e fundit që do të bëjë si trajner dhe se planifikon ta lërë punën pas këtij posti. Ajo që nuk dihet është se kur do ta lërë Del Boske këtë detyrë. Trajneri 59-vjeçar e ka marrë drejtimin e Spanjës nga trajneri Luis Aragones dhe e ka çuar më tej formën e shkëlqyer të kësaj përfaqësueseje.
Ai madje ka pohuar se po shijon çdo moment në krye të përfaqësueses spanjolle. Në momentin kur do të bindet se nën drejtimin e tij “Furia Roja” nuk mund të shkojë më larg, ai do të lërë drjetimin e Spanjës dhe nuk do të punojë më si trajner. “Kjo detyrë do të jetë e fundit, por nuk e di sa do të zgjasë.
E sigurt është që do të jetë puna ime e fundit”, ka thënë ai . “Kam kaluar momente të shkëlqyera si lojtar dhe si trajner dhe kjo është puna ime e fundit. Përfundimisht, nuk kam dyshim për këtë, por nuk e di se kur do ta përfundoj. Zoti do të vendosë”, ka shtuar Del Boske, i cili e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij si lojtar dhe trajner te Reali i Madridit. Ai ka drejtuar skuadrën turke të Beshiktashit për një vit, në sezonin 2004-05.
Pepe dhe Marçelo kërkojnë falje publike për veprimet e shëmtuara ndaj Getafes
Real, dyshja e “sherrit” ndjen keqardhje
Dyshja e Realit të Madridit, Pepe dhe Marçelo, kanë kërkuar falje publikisht për sjelljen e tyre në ndeshjen e shkuar kundër Getafes. Pepe u ndëshkua me karton të kuq për goditjen e turpshme ndaj Havier Kaskueros gjatë ndeshjes së fituar me rezultatin 3-2 nga Reali i Madridit të martën në “Santiago Bernabeu”.
Pepe ishte fajtor për rrëzimin e Kaskueros në zonë, para se ta godiste atë me shkelma, teksa ishte i shtrirë në tokë. Pepe më pas u zu edhe me lojtarin Huan Angel Albin të Getafes gjatë rrëmujës që pasoi incidentin e penalltisë. Ka shumë mundësi që ai të marrë një dënim të gjatë shembullor për sjelljen e tij dhe Pepe ka pohuar se do të pranojë çdo ndëshkim që do t’i jepet.
“Ne kishim shumë nevojë për fitoren. Duke qenë se penalltia mund të na i komplikonte shumë gjërat, mua më iku truri”, ka thënë Pepe për gazetën “Marca”. “Kur e rrëzova Kaskueron në zonë dhe u dha penallti, m’u duk vetja përgjegjës për humbjen e titullit. U frustrova jashtë mase. Këto janë ditët më të këqija të jetës sime.
Pashë pamjet televizive dhe nuk e njoha veten. Nuk isha unë ai. Më iku truri fare, e humba kontrollin për disa minuta. Po jetoj momentet më të këqija të jetës sime”, ka shtuar lojtari portugez i Realit, i cili ka pohuar se për momentin ka shumë pak dëshirë që të luajë futboll. “Nëse do të shoh se nuk mund të luaj më futboll, do t’i përkushtohem diçkaje tjetër në jetë. Për momentin, nuk jam i motivuar për të bërë asgjë.
Do të pres për të parë se cili do të jetë ndëshkimi. Nuk jam ndier kurrë kështu dhe shpresoj të mos më ndodhë më kurrë.” Shoku i tij i skuadrës, Marçelo, u pa në pamjet televizive teksa shtynte lojtarin e Getafes, Kata Diaz, gjatë ndeshjes dhe pas saj.
“Ishte një ndeshje shumë e ashpër dhe ne donim ta fitonim me çdo kusht, kështu që mund të bëhen edhe gabime. Unë bëra atë që bëra dhe kam kërkuar falje”, ka thënë ai në faqen zyrtare të Realit të Madridit në internet. “Gjërat që ndodhin mes lojtarëve duhet të mbeten në fushë. Unë dua të kërkoj falje, dhe nëse klubi më ndëshkon, do ta pranoj ndëshkimin.
E kam pranuar se kam bërë gabim. Një lojtar i Realit nuk duhet të bëjë gabime të tilla. Secili mëson prej gabimeve të veta. Ishte ndeshje e fortë dhe ishim të acaruar. Rauli më ka dhënë disa këshilla. Më ka thënë se duhet të mësoj nga gabimet e mia. Do ta pranoj ndëshkimin që mund të më jepet”, ka thënë Marçelo.
Tifozët humbin kontrollin, Osasuna në telashe
Osasuna mund ta gjejë veten në telashe të mëdha, pasi arbitri i ndeshjes Osasuna-Malaga ka raportuar se nga tifozët e Osasunës janë hedhur në fushë një numër sendesh. Në ndeshjen e së mërkurës në mbrëmje, të luajtur në “Reyno de Navarra”, tifozët e Osasunës dolën jashtë kontrollit, pasi arbitri Karlos Klos Gomez nxori me kartonë të kuq tre lojtarë të skuadrës vendase dhe Osasuna e humbi ndeshjen 3-2, edhe pse kryesonte 2-1 më parë.
Lojtari i Malagas, Albert Luke, u godit me diçka në kokë në momentet e fundit të ndeshjes dhe tifozët e humbën durimin pas bilbilit final të ndeshjes, duke ia zbrazur inatin arbitrit. “Në minutën e 89-të, lojtari me numrin pesë i Malagës (Albert Luque), u godit nga një objekt i paidentifikuar”, ka shkruar arbitri Klos Gomez në raportin e tij,
“Në fund të ndeshjes, kur po shkonim drejt dhomave të zhveshjes, njëri prej anësorëve u godit nga një monedhë dy euroshe në krahun e djathtë, ndërkohë që në fushën e lojës u hodhën edhe disa jastëkë të ndenjëseve të tribunës, por pa dëmtuar asnjë.” Ndërkohë që “Camp Nou” i Barcelonës nuk u mbyll për dy ndeshjet që vendosi Federata Spanjolle e Futbollit, disa klube të tjera janë detyruar të luajnë pa tifozë.

No comments:

Post a Comment