21 March 2009

Ronaldo, Iniesta e Vija: Reali gati 300 milionë

Treqind është një numër i cili po qarkullon së fundmi në botën e futbollit: nga golat në karrierë nga Pipo Inzagi te miliona eurot të ndara nga Florentino Perez për merkaton e ardhshme të verës. Në fakt, ish-presidenti i Realit të Madridit po përgatit një rikthim të madh në kryesimin e klubit më të njohur spanjoll. Sipas edicionit të djeshëm të së përditshmes sportive spanjolle "Marca", kandidati për zgjedhjet presidenciale është i gatshëm të bëjë disa oferta të bujshme, mes të cilave në radhë të parë qëndrojnë ajo për sulmuesin spanjoll të Valencias, David Vija (50 milionë). Një tjetër ofertë duket se do të duhet të përfundojë në dyert e anglezëve të Mançester Junajtid, ku Reali më në fund do të kërkojë të marrë "Topin e Artë", portugezin Kristiano Ronaldo. Por oferta për të do të jetë sa dyfishi i asaj për Vijan, bëhet fjalë për një shumë prej 100 milionë eurosh. Përveç tyre, Florentino ëndërron një tjetër talent të Barcelonës: pas Figos, i përzgjedhuri i kësaj radhe do të jetë mesfushori i Kombëtares spanjolle, Andres Iniesta, klauzola për prishjen e kontratës e të cilit kap shifrën e 150 milionë eurove.Dhe nuk përfundon këtu: tifozët e Realit të Madridit kërkojnë edhe Kakanë, Fabregasin e Mesin. Ish-numri 1 i Realit të "galacticos" është favoriti për presidencën e klubit "balanco" dhe, sipas së përditshmes "Sport", ka vendosur t‘u sjellë si dhuratë ortakëve dhe tifozëve madrilenë Riki Kakanë. Kjo do të jetë një lëvizje, si kundërpërgjigje ndaj dështimeve të ish-presidentit Ramon Kalderon. Sipas "Sport", Kristiano Ronaldo, nëse vjen te Reali, do të marrë një rrogë prej 12 milionë eurosh në sezon, por Florentino Perez nuk e mohon idenë që me ardhjen e portugezit ka një meritë jo të vogël edhe Kalderoni. Prandaj ka vendosur t‘i përgjigjet me një tjetër kampion, që paraardhësi i tij nuk mundi ta sillte në Madrid, edhe pse e kishte premtuar në fushatë elektorale. Për Kaka, Perez do të duhej të derdhte te Milani një shifër mes 60 dhe 70 milionë eurove, ndërsa braziliani do të paguhej me një shifër prej 12 milionë eurosh në sezon. Sipas spanjollëve, Kaka ndihet i zhgënjyer nga Milani dhe është i gatshëm të vijë në Madrid.

No comments:

Post a Comment