21 March 2009

Kapelo vendos Lionel Mesin përkrah Pelesë e Maradonës

Fabio Kapelo, trajneri i Kombëtares angleze, ka folur me superlativa për talentin e Barcelonës, Lionel Mesi. Italiani mendon se "Pleshti" është ylli i këtij brezi futbollistësh dhe nuk ka hezituar ta vendosë përkrah legjendave të gjalla të futbollit si Pele dhe Maradona. "Mendoj se duhet të jemi të durueshëm kur vjen fjala për Mesin, pasi nuk duhet të harrojmë se ai është ende shumë i ri në moshë", deklaroi Kapelo për spanjollen "Com Radio". "Çdo epokë e futbollit ka yllin e saj. Në fillim ishte Pele, ndërsa pas tij spikati Maradona. Ndoshta Leo Mesi do të jetë ylli i dekadës së ardhshme". Drejtuesi i stolit të "Tre Luanëve" ishte mes të parëve që njohu talentin e sulmuesit argjentinas, në periudhën kur punonte te Juventusi, në ndeshjen që bardhezinjtë luajtën me Barçën për trofeun "Joan Gamper". Kapelo vlerësoi edhe punën e Pep Guardiolas në "Kamp Nou": "Aventura e Guardiolës te Barcelona filloi mjaft mirë dhe fillimisht gjithçka po ecte në rrugën e duhur, shtoi ai. Por, ishte në momentin e vështirësive që Guardiola tregoi vlerat e vërteta dhe personalitet. Këmbënguli tek idetë e tij, duke lënë shpesh në stol lojtarë shumë të rëndësishëm, pasi ishte i bindur se skuadra mund të fitonte edhe pa ta".

No comments:

Post a Comment