Trajneri i Totenhem Hotspurit, Herri Redknap, ka thënë se kuota e 39 pikëve do të jetë shifra magjike që do t’i sigurojë skuadrës së tij mbijetesën në Premier Ligë. “Sa pikë na duhen për të mbijetuar? Kam folur me Piter Storrin e Portsmuthit dhe ai përmendte shifrën e 42 pikëve dhe më duket si shumë. Nuk mendoj se na duhen 42 pikë. Kur ka trysni të lartë, për shumë skuadra gjërat vështirësohen. Mund të mjaftojnë edhe 39 pikë, pra vetëm dy fitore për ne. Për disa skuadra bëhet fjalë për gjashtë fitore. Uest Bromni ka nevojë për të paktën 16-17 pikë të tjera. Ne duhet të vazhdojmë të përpiqemi të fitojmë ndeshje.
Çdo trajner, përveç atyre të katër skuadrave kryesuese, plus Aston Vilës, Evertonit dhe Uest Hemit, do të jetë nën trysni. Çdo vit ka skuadra që janë në rënie të lirë, por është edhe ndonjë skuadër që ia del mbanë në këtë situatë të zymtë”. Për shkak të synimit të skuadrave të kreut për të zënë një vend në Ligën e Kampionëve, Totenhemi tani është vetëm pesë pikë larg vendit të shtatë në kampionat. “Unë do të doja shumë të dilnim në vend të shtatë në fund të kampionatit. Po luajmë mirë javët e fundit dhe nuk ka arsye që të mos ngjisim disa vende në tabelë”, ka thënë trajneri Redknap i Totenhemit.
Portieri i Mançester Junajtedit, Edvin van der Sar, ka refuzuar kërkesën e bërë nga trajneri i Holandës, Bert van Marvijk, që të kthehet dhe të luajë për përfaqësuesen. “Edhe pse e dija se cila do të ishte përgjigjja e tij, i telefonova Edvinit për ta pyetur”, citohet të ketë thënë Van Marvijk. “Mendoj se ishte kërkesë normale duke parë gjendjen e portierëve tanë. Por Edvini më tha që vjet se përfaqësuesesja ishte kapitull i mbyllur për të. E dija përgjigjen e tij, por e provova një herë”, ka shtuar trajneri i Holandës.
Van der Sar, 38 vjeç, ka luajtur 130 ndeshje me përfaqësuesen dhe u tërhoq prej saj pas finaleve “Euro 2008″, por luajti dy ndeshje të tjera në tetor kundër Islandës dhe Norvegjisë. Ai ka vendosur këtë sezon rekordin anglez për mospësimin e golave, plot 1311 minuta pa pësuar gol me fanellën e Mançester Junajtedit, duke qenë i pamposhtur për 14 ndeshje rradhazi. Kriza në portë për përfaqësuesen holandeze ka ardhur pasi portieri i parë i Holandës, Marten Stekelenburg, u bë portieri i dytë i Ajaksit, kurse Henk Timer dhe Majkëll Vorm janë të dëmtuar. Van Marvijk do të bëjë publike të premten listën e lojtarëve të Holandës për ndeshjet kundëer Skocisë më 28 mars dhe Maqedonisë më 1 prill, që do të luhen në Amsterdam.
21 March 2009
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment