21 March 2009

Fabregas nën akuzë, pështyn trajnerin e Hullit

Sipas stafit të Hullit, kapiteni i Arsenalit, ka bërë një akt vulgar gjatë ndeshjes për Kupën e Anglisë
Çesk Fabregas është akuzuar në mënyrë sensacionale se ka pështyrë ndihmëstrajnerin e Hull Sitit, Brajën Horton. Kapiteni i Arsenalit thuhet se paska shkuar te Hortoni pas fitores 2-1 të Arsenalit kundër Hull Sitit dhe e paska pështyrë në fushën e stadiumit “Emirates”. Trajneri i Hull Sitit, Fil Braun, ka thënë: “Unë isha aty dhe e pashë me sytë e mi. Fabregasi pështyu ndihmëstrajnerin e skuadrës sonë. Ai është kapiteni i Arsenalit dhe është krenar për veprimin e tij.
Ai pështyu te këmbët e tij”. Por vetë Fabregasi e ka mohuar këtë denoncim dhe i ka telefonuar gazetës angleze “The Sun” për të mohuar gjithçka. Fabregas ka thënë: “Unë e mohoj kategorikisht se kam pështyrë dikë dhe nuk e kuptoj përse stafi i Hull Sitit po bën akuza të tilla kundër meje. Nuk kam pështyrë askënd në jetën time.
Eshtë një huq i shëmtuar. Përse duhet ta bëja një gjë të tillë pas një ndeshjeje në të cilën unë nuk luajta? Unë isha në fushë në fund të ndeshjes duke festuar me shokët e skuadrës sime dhe nuk bëra ndonjë gjë të gabuar”. Arsenali me atë fitore shkoi në gjysmëfinale dhe do të luajë kundër Çelsit në “Uembli” më 18 prill. Golat u shënuan për Arsenalin nga Van Persi dhe në fund nga Uilliam Gallasi, ndërkohë që Hull Siti kishte kaluar i pari në epërsi falë golit të Niki Barmbit. Trajneri i Hull Sitit, Braun, ka thënë:
“Nuk ndryshon gjë nëse Fabregasi kërkon falje. Nuk i pranoj faljet as nga lojtarët e mi. Për kapitenin e Arsenalit, Fabregas, pështyrja e asistentit tim tregon fytyrën e këtij klubi”. Përveç këtij incidenti, përflitet se trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, ndihmëstrajneri i Hull Sitit, Horton, Niki Barmbi dhe rezerva të Arsenalit u përfshinë në një incident në tunelin e stadiumit pas pjesës së parë.
Trajneri Venger i Arsenalit madje refuzoi t’i jepte dorën Braunit në fund të ndeshjes. Brauni ndjeu se skuadrës së tij iu bë hile kur u lejua goli i Uilliam Gallasit, që sipas tij ishte në pozicion jashtë loje. Trajneri Braun ka thënë: “Nuk mund ta përdor këtë fjalë, por kam frikë se është pikërisht ashtu. Më bëhet qejfi që gazetarët e thanë këtë fjalë për mua. E humbëm ndeshjen padrejtësisisht. Për sa i përket Vengerit, ai kurrë nuk ma ka dhënë dorën. Eshtë çështje edukate, por ndoshta ai na mban ende inat që i mundëm herën e fundit në kampionat në këtë stadium”.
Trajneri Venger ka mohuar se mes tyre ekziston ndonjë problem dhe tha: “Kur ndeshja mbaroi, unë eca dhe shkova drejt pankinës së tyre, ku duhet të ishte trajneri i Hull Sitit. Ai nuk ishte aty dhe unë shkova në dhomat e zhveshjes. Edhe tani do t’ia jepja dorën, përse jo?” Kurse Fabregasi shtoi: “Vetëm gjysmë ore pas ndeshjes dëgjova fjalët që po flisnin ata të Hull Sitit për mua dhe kjo nuk është diçka e lehtë për t’u pranuar. E kuptoj që ata janë të frustruar nga humbja në Kupën e Anglisë.
Por nuk e di pse po thonë fjalë të tilla kundër meje, sepse nuk kanë ngjarë ato gjëra që ata thonë. Kjo është e vërteta. Unë madje nuk e njoh fare ndihmëstrajnerin e Hull Sitit. Më kanë thënë se Hull Siti do të bëjë një ankesë zyrtare në federatë për veprimin tim, por unë jam plotësisht i qetë dhe nuk kam çfarë të fsheh. Nuk kam pështyrë fare dhe jam shumë i sigurt për këtë”.

No comments:

Post a Comment