21 March 2009

Benitez rinovon për të vazhduar “epokën”!

Projekti i Rafës
Blerjet: Berri dhe Vila
Largimet: Lukas dhe Babel
Rinovimet: Xherrard, Torres, Kuit, Alonso, Ager
Formacioni i ardhshëm: Reina, Karrager, Ager, Skërtel, Arbeola, Xherrard, Maskerano, Berri, Kait, F.Torres, Vila

Trajneri i Liverpuli ka firmosur deri në vitin 2014 dhe do të ketë kontrollin e plotë në “Anfild Road”

Dje, Rafael Benitez, ka filluar punën me planin pesë-vjeçar, që synon ta kthejë Liverpulin në një superfuqi të futbollit anglez dhe europian. Në këtë mënyrë, trajneri spanjoll i ka dhënë fund spekullimeve për të ardhmen e tij, duke firmosur një kontratë deri në vitin 2014 me “të kuqtë”. Rafa nuk do të jetë vetëm trajneri, por edhe njeriu që do të ketë kontrollin e plotë mbi trasferimet e futbollistëve dhe kontrata e tyre. Qendrimi i Benitezit do të sjellë edhe rinovimin e disa futbollistëve, duke nisur nga kapiteni Stiven Xherrard.

MARREVESHJA - Firma e trajnerit mbi kontratën e re i dha fund bisedimeve të vështira ndërmjet dy palëve, që zgjatën për gjashtë muaj, kohë gjatë së cilës drejtori ekzekutiv, Rik Perri, tha se do të largohej në fund të sezonit, pasi e kishte humbur në “mundje krahu” me Benitezin. Pronarët amerikanë të klubit, Tom Hiks dhe Xhorxh Xhilet u menduan gjatë për t’i dhënë Benitezit kontrollin e gjithçkaje, por u bindën pas dy fitoreve radhazi, 4-0 ndaj Realit të Madridit dhe 4-1 ndaj Mançester Junajtid në “Old Traford”. Fitorja ndaj spanjollëve e bën Liverpulin edhe një herë favorit për në finalen e Ligës së Kampioneve, ndërsa suksesi ndaj “djave” mban gjallë shpresat për një titull në Angli, i cili mungon prej 19 sezonesh.

PLANET - Hapi i parë i Benitezit, në rolin e ri, do të jetë rinovimi i kontratës së dy futbollistëve kryesorë Stiven Xherrard dhe Fernando Torres. Kapiteni 29-vjeçar ka një kontratë deri në vitin 2011 dhe kërkohet nga Reali i Madridit, por Rafa do ta bindë që të qendrojë përjetësisht në “Anlfid Road”. Gjaku “i kuq” i Xherrardit do të ndikojë. Ndërkohë, 25-vjeçari, Fernando Torres, ka një marrëveshje deri në vitin 2013, por Benitez ka vendosur t’ia shtyjë edhe një vit kontratën, duke i rritur rrogën me 25 mijë stërlina në javë (nga 130 mijë në 155 mijë). Pastaj, vazhdon lista e futbollistëve të tjerë që do të qendrojnë në “Anfild”. Pas Xherrardit dhe Torresit, Benitez do të merret me rinovimin e dy “karnakarëve” pesonal, Dirk Kuit dhe Ksabi Alonso. Holandezi dhe spanjolli kanë kapur majat e karrierës së tyre me Rafën dhe do të bënin gjithçka për të vazhduar me të. Lëvizjet e Benitezit nuk ndalen këtu. Ai do të realizojë edhe planin që kishte në janar duke mbajtur Daniel Agerin.
MERKATO - Në fushatën e blerjeve, spanjolli do të lëvizë për mesfushorin e Aston Vilës, Gareth Berri. Verën e kaluar e kërkoi me ngulm, por drejtuesit nuk ishin të gatshëm të shpenzonin 20 milionë euro. Nëse Liverpuli fiton Championsin dhe të ardhurat do të jenë më të mëdha, Benitez mund t’i lejojë vetes të marrë David Vilën nga Valencia. Me rinovimin e kontratës te Liverpuli, Benitez përjashtoi edhe mundësinë e kalimit të tij te Realit i Madridit, klubi ku e nisi karrierën si zv.trajner, përpara se të bëhej i famshëm me dy titujt kampion të fituar te Valencia.
DEKADA - Rafa kaloi në “Anfild Road” në vitin 2004 dhe kur kontrata e tij të përfundojë do kenë kaluar dhjetë vjet. “Zemra ime është te Liverpuli, kështu që jam shumë i lumtur për këtë marrëveshje të re, - tha spanjolle. - Unë jam i dashuruar me klubin, tifozët dhe qytetin. Asnjë trajner në botë nuk mund të largohet nga një ambient i tillë. Më jepet mundësia të bëj atë që dëshiroj në pesë vitet e ardhshme dhe kjo është një ëndërr që po realizohet. Kur erdha te Liverpuli para pesë vitesh thashë se doja të qendroja të paktën për një dekadë. Do të punoj me përkushtim që ta bëj Liverpulin më të fortë. Synimi im është të ndërojë një ekip që të bëhet pjesë e historisë së lavidshme të këtij klubi.”
ARRITJET - Si trajner i Liverpulit, Rafa Benitez ka arritur gjithmonë deri në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve dhe dy herë ka qenë në finale ndaj Milanit. Në Stamboll, fitoi me përmbysje, ndërsa në Athinë u mund nga kuqezinjtë. Në Angli, ai ka fituar dy herë Kupën e Ligës, por në kampionat nuk ka shkuar asnjëherë më lart se vendi i tretë.

No comments:

Post a Comment