21 March 2009

“Nuk mund t’i fitojmë 5 trofetë”

Trajneri i Mançesterit, Sër Aleks Ferguson, përsërit refrenin e ditëve të fundit

Mançester Junajtid, që po drejton aktualisht, është skuadra më e fortë gjatë 22 viteve të tij në “Old Traford”, por nuk mendon se do t’i fitojë të pestë trofetë në këtë sezon, bëri të ditur dje trajneri skocez, Sër Aleks Ferguson. “Djajtë” kanë fituar deri tani Kupën e Ligës dhe botërorin e klubeve dhe tifozët ëndërrojnë tri trofe të tjerë në të cilat marrin pjesë. Mançesteri është gjithashtu në çerekfinalen e Ligës së Kampionve në gjysmëfinalen e Kupës së Anglisë dhe në krye të Premier Ligës, me katër pikë avantazh ndaj Liverpulit dhe Çelsit që kanë luajtur një ndeshje më shumë.

Gjithsesi, Fergusoni pohon se futbolli në vetvete është i paparashikueshëm dhe jo gjithmonë fiton më i miri. “Për të fituar një kupë nuk mjafton të jesh skuadra më e fortë, duhet edhe shumë fat, - tha ai. - Fati mund të jetë me ne në disa raste, por jo gjithmonë. Me Totenhemin fituam me 11-metërsha në finalen e Kupës së Ligës, në një finale tjetër mund të humbasim me 11-metërsha. Nuk i dihet. Skuadra aktuale është më e forta që kur unë kam mbëritur në “Old Traford”, por pesë trofetë më duken të pamundur.

Gjithsesi, unë kam një besim të verbër, sa herë që skuadra ime futet në fushën e lojës. Për momentin çdo mbrojtje e ka frikë sulmin tonë dhe çdo sulm e ka frikë mbrojtjen tonë.” Pastaj, Fergusoni tha se arritja e tij më e madhe ishte viti 1999 kur fitoi Kupën e Anglisë, Premier Ligën dhe Championsin. Ndërkohë, ai pranoi edhe dy gabime: shitja e Jap Stamit dhe dështimi në blerjen e Gaskonjit nga Njukasëlli në vitin 1988. “Gaza ka qenë një futbollist i mrekullueshëm dhe do të kishte pasur një karrierë të lavidshme te Mançesterit. Na u deshën tri vjet për t’u forcuar në mbrojtje pas largimit të Stamit.” Në fund, 67-vjeçari, tha se nuk mendonte për lamtumirën.

“Shëndeti im është mirë dhe vazhdoj ta drejtoj skuadrën me energji. Kam kaluar këtu më shumë se 22 vjet, por ende ndihem i elektrizuar kur autobuzi mbërrin në stadium përpara ndeshjes.” Mes të tjerave, gjatë qendrimit në Mançester, Fergusoni ka fituar dhjetë herë titullin në Premier Ligë dhe dy herë Ligën e Kampioneve.

No comments:

Post a Comment