skip to main |
skip to sidebar
Ançeloti zgjedh: Roma, më mirë se Milano
Trajneri i Milanit nuk është shprehur shumë i sigurt lidhur me të ardhmen e tij tek kuqezinjtë
Janë ditë delikate, në shtëpinë e Milanit. Janë shumë gjëra në lojë. Më shumë për të ardhmen se sa për të tashmen, në të vërtetë, me kampionatin e kuqezinjve që po shkon drejt një fundi ku nuk parashikohen surpriza. Dyshimi i parë për t’u zgjidhur ka të bëjë me Karlo Ançelotin, që në javët e fundit ka qenë në qendër të shumë zërave që e shikojnë larg Milanos.
Lidhur me këtë ka folur vetë trajneri milanist. Konfirmime apo përgenjshtrime të vërteta nuk kanë ardhur. Por ajo që të bën të mendohesh është toni që është përdorur: “Në lidhje me faktin që do të përfundojmë kampionatin në vendin e tretë nuk kam asnjë dyshim. Më pas ka për të ndodhur ajo që duhet të ndodhë, këtë e them me qetësinë më të madhe”. Me pak fjalë, një pikëpyetje e madhe.
Megjithatë tek Milani ndihet mirë, është shtëpia e tij. Deri në atë pikë sa i bën të tjerët ta ngatërrojnë këtë harmoni me një butësi të tepruar nga ana e Karletos: “Unë shumë i butë? Kur? Nëse është rasti unë zemërohem më shumë se të tjerët, por nuk shkoj t’ja them këtë gazetarëve. Mendoj më shumë për drejtuesit e klubit? Nuk është e vërtetë.
Do të doja të shihja se sa nga ata që më kritikojnë mua janë të gatshëm të dalin kundra punëdhënësit të tyre publikisht, unë këtu ndihem mirë dhe nuk ndikohem nga vërejtjet e Berluskonit. Ajo që i pëlqen atij unë e di përmendësh: të fitosh duke lujatur mirë. Nuk mund të jetë kështu gjithmonë. Por duhet thënë që ai kritikat i bën si kur gjërat shkojnë mirë ashtu edhe kur shkojnë keq dhe është gjithmonë afër skuadrës dhe trajnerit”.
Për të vërtetuar se në fund nuk është kaq i butë, Ançeloti ka komentuar deklaratat e Haliloxhiçit, trajneri i Bregut të Fildishtë, në lidhje me dëshirat e trajnerit kuqezi, për të stërvitur në një të ardhme kombëtaren afrikane:
“E kam zemëruar duke thënë se do të më pëlqente të drejtoja Bregun e Fildishtë në botërorin e ardhshëm. Do të më pëlqente, besoj shumë tek futbolli afrikan, kanë lojtarë të jashtëzakonshëm që kanë vështirësi të luajnë si skuadër. Drogba, dy vllezërit Ture, Kalu, Ebue, Zokora, çfarë mund të thuash për ta. Në botërorin e kaluar kanë humbur vetëm me një gol diferencë kundër Argjentinës dhe Holandës dhe kanë mundur Serbinë”. Më pas, Roma apo Milano, Milano apo Roma.
Nga pikëpamja e zemrës së Karlo Ançelotit, këto dy qytete janë pa dyshim ato që ndajnë eksperiencat dhe gëzimet e tij si lojtar dhe trajner. “Unë dhe Spaleti jami miq, - ka vazhduar trajneri duke ju referuar zërave të vazhdueshëm që flasin për një kalim të tij tek stoli verdhekuq në të ardhmen -, por mund të kuptoj se mund t’i ketë mbetur pak qejfi kur kam shprehur dëshirën time për të stërvitur Romën, herët ose vonë.
Unë në Romë jam ndier shumë mirë, është një qytet i mrekullueshëm, është shumë e lehtë të bësh miq. Milano është pak më i mbyllur se Roma dhe Torino është më i mbyllur se Milano, jashtë fushës në Torino nuk kam asnjë mik. Në Romë kam shumë, ai me të cilin flas më shpesh është Bruno Konti. Ndërsa, në Milano dal sa më pak të jetë e mundur dhe kur përfundoj në restorante absurde, të mbushur me njerëz fallco, më vjen të largohem me vrap. Por edhe kështu mirë është”.
No comments:
Post a Comment