06 March 2009

Nga Albiol te Vila, gati për shitje

Drejtori ekzekutiv i Valencias, Havier Gomez, pranon që Valencia mund të detyrohet të shesë lojtarë për të zgjidhur problemet financiare. Krerët e Valencias, deri tani nuk u janë përgjigjur pyetjeve rreth financave të klubit, por ata janë detyruar të vonojnë rrogat e lojtarëve dhe kanë ndaluar punimet për stadiumin e ri. Gomez u emërua si drejtori ekzekutiv, pas një takimi të bordit drejtues dhe ai pranon që duhen marrë masa, pasi raportet tregojnë se klubi ka një borxh prej rreth 450 milionë eurosh. “Aktualisht ndodhemi në një situatë tepër delikate. Duhen kontrolluar shpenzimet, të ardhurat dhe duhet të shiten asete”, ka thënë Gomez. Valencia deri tani ka luftuar që të mbajë në ekip lojtarë si David Vija dhe David Silva, por duke parë gjendjen aktuale, duhet të fillohen të merren parasysh ofertat. Liverpuli duket se është i interesuar për mbrojtësin Raul Albiol dhe Gomez ka pranuar që mund të marrë parasysh ndonjë ofertë të ardhur në drejtim të tij. “Natyrisht që do t’i marrim parasysh ofertat. Ne duhet të menaxhojmë shpenzimet dhe shpenzimi më i madh i një klubi janë rrogat e lojtarëve. “Tani duhet të shohim për alternativa të reja. Duhet të rifitojmë besueshmërinë me institucionet financiare”.

No comments:

Post a Comment