06 March 2009
Higuain: Aguero, blerje marramendëse!
Dy nga sulmuesit e rinj argjentinas më në formë të momentit, Gonzalo Higuain dhe Serxho Aguero, do të kenë mundësinë të tregojnë se kush është më i miri, kur klubet e tyre respektive, Real Madrid dhe Atletiko Madrid, të përballen në derbin e fundjavës. Kryegolashënuesi i madrilenëve me 14 gola në kampionat, Higuain, ka lavdëruar Agueron, i cili ka dy gola më pak, ndoshta edhe për ta bindur që të lërë “Visente Kalderonin” për “Santiago Bernabeun”. “Aguero do të ishte një blerje e shkëlqyer për Realin - ka thënë Higuain. - Unë gjithmonë kam thënë se lojtarë të mëdhenj duhet të luajnë për ekipe të mëdhenj. Reali është padyshim ekipi më i madh në histori”. Higuain më pas ka folur për Atletikon, që arriti fitore spektakolare në fundjavën e kaluar 4-3 përballë Barcelonës. “Nuk e di nëse është e vërtetë që sa herë vjen Atletiko në “Bernabeu” paraqitet dobët, por di të them që ne do të luajmë me të gjitha forcat tona për ta fituar këtë ndeshje. Është një derbi dhe të gjithë duan të japin maksimumin. E dimë që ata janë një rivalë të fortë dhe plot vetëbesim pas fitores së arritur kundër Barcelonës, por nëse do të arrijmë të fitojmë të shtunën, do të marrim një ngritje të nevojshme morali për ndeshjen e Championsit kundër Liverpulit”.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment