06 March 2009

Misteri i arratisjes së Pier Uomes

Çfarë fshihet prapa zhdukjes së papritur të Pier Uomes, mbrojtësit kamerunas? Këlni, klubi i tij aktual, nuk është në dijeni të asgjëje prej tij që kur trajneri Kristof Daum i kishte lënë takim një ditë pas barazimit 1-1 në shtëpi ndaj Arminias së Bilefeldit. Mesa bëhet e ditur nga shtypi, Uome dukej i shëruar nga një tërheqje në kofshën e majtë, të pësuar më 14 janar gjatë grumbullimit dimëror të Këlnit në Belek të Turqisë. Më 24 shkurt ishte kthyer të stërvitej në kohë për të mos pasur reduktim të pagës së parashikuar pas 42 ditësh inaktiviteti, për shkaqe shëndeti. Daum donte të shpejtonte kohën e rikthimit të tij mes titullarëve, por Uome është arratisur, duke sjellë edhe irritimin e vetë trajnerit: ”Duhet të jetë në Itali, te ndonjë mjek besnik i tij”. Në Bundesligë ndodh që lojtarët të zgjedhin mjek edhe jashtë shtetit. Uome kishte një edhe në Paris. Ish-agjenti i futbollistit afrikan ka deklaruar se s’di asgjë dhe se nuk ka biseduar më me lojtarin, duke e cilësuar si “të pakorrigjueshëm”. Pas shfryrjes së Daum, klubi gjerman ka pranuar se Uome duhet t’i ketë komunikuar mjekut të skuadrës, Pol Klein, se dëshiron t’i nënshtrohet një vizite specialiste në Bolonja. Nga atëherë është bërë i pakapshëm, deri në një rikthim të mundshëm në bazë, gjë që mund të shoqërohet edhe me një gjobë të majme.

No comments:

Post a Comment