06 March 2009
Bajerni i eliminuar, shtypi sulmon Klinsin
“Klinsi K.O.! Edhe për sa kohë, presidenti do ta lërë të humbasë”. Kjo ka qenë faqja e parë e “Bild”, që me këtë titull ka kritikuar ashpër veprimtarinë e teknikut të Bajernit të Mynihut, i eliminuar në çerekfinalet e Kupës së Gjermanisë, pasi humbi 4-2 me Bajer Leverkusenin. Pa Tonin e lodhur, formacioni gjerman kapitulloi dhe tani një objektiv sezonal është i dështuar,teksa vetë Klinsmani vetëm disa ditë më parë kishte thënë: “Gjëja më e rëndësishme është të fitohen një, ose disa trofe”. Ndërkohë, gara e titullit duket gjithmonë e më e vështirë, aq sa kampionët në fuqi të Gjermanisë mund të ngushëllohen me Ligën e Kampionëve. Megjithatë, edhe kaq duket se është fare pak për shtypin gjerman, në një kohë kur drejtuesit kanë vazhduar t’i japin besim teknikut, të paktën deri në këtë moment. “Ishte thjesht një mbrëmje e keqe – ka deklaruar menaxheri Uli Hënes -. Jemi jashtë Kupës, por duhet t’u kthejmë lojtarëve besimin. S’na mbetet veçse të shënjestrojmë objektivat tona në Bundesligë dhe Ligën e Kampionëve”. Tekniku - “Në fund të fundit nuk jam unë që zbres në fushë, por lojtarët, të cilët përballë Leverkusenit nuk m’u dukën fort me oreks. Ndërsa, kundërshtari u shfaq shumë agresiv, duke bërë presion në çdo zonë të fushës”. Në këtë mënyrë, trajneri i Bajernit ka dashur të justifikohet për eliminimin në Kupë. “Donim të arrinim me çdo kusht në gjysmëfinale. Ja që nuk ishte e thënë dhe Leverkuseni e meritoi fitoren. Tashmë, ky eliminim përbën një ngërç psikologjik që duhet të kapërcejmë sa më shpejt”. Sidoqoftë, kjo sipas teknikut ka edhe përfitim: “Do të thotë se do të mbetemi të përqendruar 100% te Bundesliga dhe Liga e Kampionëve”.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment