Sulmuesi i Bajernit të Mynihut, Lukas Podolski, është grumbulluar sërish me përfaqësuesen gjermane për ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2010 kundër Lihtenshtjenit dhe Uellsit. Podolski ka kaluar pjesën më të madhe të këtij sezoni në stolin e rezervave të Bajernit, duke parë në fushën e lojës sulmuesit Luka Toni dhe Miroslav Kloze. Por dëmtimet e dyshes së mësipërme i kanë dhënë mundësinë atij të luajë si titullar te Bajerni në tri ndeshjet e fundit, ku ka shënuar tre gola. Duke qenë se Kloze, golashënuesi më i mirë i ndeshjeve eliminatore të Botërorit 2006, është i dëmtuar, Podolski kthehet sërish në skuadër pasi nuk luajti në ndeshjen miqësore të muajit të shkuar në Norvegji.
“Eshtë mirë që Lukasi po luan sërish mirë për Bajernin”, ka thënë Lëv. “Gjithsesi ne do ta kishim grumbulluar atë për këto dy ndeshje sepse e kemi thënë gjithmonë që Lukasi ka ritmin e duhur në stërvitje dhe është një sulmues i vlefshëm”, ka shtuar trajneri i Gjermanisë, skuadra e të cilit i ka humbur dy ndeshjet e fundit në fushën e vet- e para herë që prej vitit 1956. Lëv është në presion të madh për t’iu kthyer fitores pas humbjeve në ndshjet miqësore kundër Anglisë dhe Norvegjisë.
Edhe mbrojtësi i Hertës së Berlinit, Arne Fridrih, dhe Marcel Jansen i Hamburgut janë grumbulluar në përfaqësuese për ndeshjen kundër Lihtenshtjenit në Lajpcig më 28 mars dhe Uellsit në Kardif më 1 prill. Portieri i Hanoverit, Robert Enke, kthehet në skuadër pas dëmtimit të tij vjeshtën e shkuar. Marcel Shafer i Volfsburgut dhe Andreas Bek i Hofenheimit kanë ruajtur vendet e tyre në përfaqësuese edhe për këto dy sfida.
“Eshtë e rëndësishme t’i përzgjedhim lojtarët për disa ndeshje”, ka thënë trajneri Lëv. “Jam i gëzuar që Robert Enke është në formë sërish”, ka shtuar ai. Pasi e humbi vendin e tij në skuadër gjatë Euro 2008, mbrojtësi Marcel Jansen është kthyer në skuadër si mesfushor. “E kemi vënë në mesfushë sepse shoku i tij i skuadrës te Hamburgu, Piotr Trokovski, mund të mos luajë për shkak të një dëmtimi”, ka shpjeguar Lëv.
Krahas kapitenit veteran Mikael Balak dhe Torsten Fringsit, në skuadër kthehet edhe mbrojtësi i Hertës, Fridrih, i cili mund të luajë ndeshjen e tij të 65-të për përfaqësuesen gjermane. “Eshtë një avantazh që mund ta përdorim për të organizuar më mirë mbrojtjen. Te Herta ai e ka dëshmuar qartë përvojën e tij këtë sezon, pasi ka qenë konstant në lojën e tij dhe lojtar kyç në suksesin e tyre të deritanishëm”, ka thënë trajneri Lëv.
21 March 2009
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment