NESTA
Mbrojtësi i Milanit, Alesandro Nesta, është operuar në shpinë (nga hernia diskale) në fillim të muajit shkurt, por pavarësisht një periudhe të gjatë riaftësimi të kryer në Majemi, futbollisti nuk është dhe nuk dihet ende se kur do të jetë gati të zbresë në fushë.
BORIELO
Pas operacionit të parë të kryer në gju dhe pas përpjekjeve për t’u rikthyer në fushë, sulmuesit kuqezi i është dashur të operohet sërish brenda pak kohësh, si rrjedhojë e përsëritjes së simptomës në gju. Për të, sezoni mund të quhet i përfunduar.
GATUZO
Sikur të mos mjaftonte dëmtimi në kyçin e dorës së djathtë, dëmtimi i pësuar në gju dy muaj e gjysmë më parë ka kompromentuar sezonin e mesfushorit, Xhanaro Gatuzo. “Ringio” pritet të
rikthehet në shërbim të Karlo Ançeloti në fund të muajit prill.
KALADZE
Të martën është operuar në gjurin e djathtë. Infermieria e stafit kuqezi, Milan-Lab, është përpjekur ta riaftësojë mbrojtësin gjeorgjian, por pa ia dalë mbanë. Si rrjedhojë, operacioni u bë i paevitueshëm. Kaladze do të kthehet në fushë vetëm pas 5 muajsh.
RONALDINJO
Në “Milanelo”, sigurisht ajo që shqetëson më shumë se çfarëdo tjetër stafin kuqezi është dëmtimi i Ronaldinjos, jo si rrjedhojë e rëndësisë së tij, por misteri që ekziston mbi dhimbjet e tij, që mjekët kuqezinj nuk arrijnë t’i shpjegojnë.
AMBROZINI
Gjatë ndeshjes së kthimit më (26 shkurt) kundër Verder Bremenit ka pësuar një tërheqje muskulore. Ky dëmtim mjaft serioz do ta detyrojë mesfushorin kuqezi të qëndrojë larg fushave për të paktën tri javë, ndonëse një rikthim më i shpejtë nuk do të ishte surprizë.
Galiani urdhëron tri pikët ndaj zikaltërve
Administratori i Milanit, Adriano Galiani, duket i kënaqur në përfundim të miqësores që Milani ka zhvilluar ndaj Al’Sad-it. Ndërkaq, ai bën të ditur se kjo do të jetë ndeshja e fundit miqësore për këtë sezon. Tani e tutje asgjë nuk do ta shpërqendrojë Milanin nga kampionati, pasi vetëm ky synim i ka mbetur: “Kemi zhvilluar një ndeshje të bukur të mërkurën kundër Al’Sadit, gjatë së cilës kanë shkëlqyer të rinjtë tanë si Antonini dhe Tiago Silva. Realisht më kanë mahnitur me autoritetin taktik të shfaqur në fushë. Të dielën vjen Atalanta? Milani duhet të bëjë të pamundurën për të fituar tri pikët. Shpresojmë që deri të dielën të kemi rikuperuar ndonjë prej lojtarëve tanë të shumtë të dëmtuar”, shprehet Adriano Galiani.
PATO
Sulmuesi i Milanit, Aleksandre Pato, është kthyer shumë optimist pas “stërvitjes luksoze” të zhvilluar të mërkurën në Katar. Të dielën, në “San Siro” mbërrin Atalanta ndaj së cilës ai pranon vetëm fitoren: “Jam shumë i lumtur që në miqësoren e së mërkurës shënova sërish. Për ne ishte një stërvitje e mirë dhe tani duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës në kampionat. Ndaj Atalantës duhet të marrim me çdo kusht tri pikët. Tani e tutje nuk na falen më gabimet. Objektivi im personal? Të shënoj sa më shumë gola të vlefshëm për ta çuar skuadrën në Ligën e Kampioneve”, ka përfunduar braziliani i formacionit kuqezi, Aleksandre Pato.
ANTONINI
Autori i golit të fitores në ndeshjen miqësore kundër Al’Sad-it, Luka Antonini, flet për emocionet e golit të parë me fanellën kuqezi. Ai shpreson që ndeshja në Katar të mos ndikojë negativisht ndaj sfidës me Atalantën në kampionat. Një tjetër hap fals nuk mund t’i falet kuqezinjve, nëse duan të mbrohen nga sulmet e ndjekëseve që synojnë zonën Champions: “Jam i kënaqur për golin e shënuar. Shokët më kanë përgëzuar për paraqitjen e mirë ndaj jam i lumtur. Atalanta? Duhet të fitojmë me çdo kusht, nëse duam që vitin tjetër të synojmë fitimin e Ligës së Kampioneve”.
VIUDEZ
Uruguaiani Viudez është aktivizuar shumë pak për të mos thënë fare nga trajneri Ançeloti. Gjithsesi, talenti kuqezi beson në cilësitë e tij, por kërkon të largohet nga Milani në formën e huazimit për të pasur më shumë hapësirë, si dhe për të fituar eksperiencën që i nevojitet për të qenë në të ardhmen pjesë e kuqezinjve: “Jam i kënaqur me paraqitjen time në miqësoren në Katar. Personalisht stërvitem çdo ditë, jam duke u impenjuar në maksimum, por deri tani nuk kam zhvilluar asnjë ndeshje zyrtare me Milanin dhe ky fakt më trishton shumë. Duke parë faktet, do ishte më mirë të huazohesha për të treguar vlerat e mia reale”.
06 March 2009
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment