06 March 2009

“Djajtë e kuq”, luftë në çdo front

Me fitoren e arritur në “St. James Park” mbrëmjen e së mërkurës, skuadra e Mançester Junajtid duket se ka vënë njërën dorë mbi titullin kampion të Premier Ligës për të tretin vit radhazi. Por “djajtë e kuq” ambiciozë të Sër Aleks Ferguson kanë synim të pushtojnë një tjetër kompeticion këtë fundjavë: Kupën e Anglisë. Të shtunën në mesditë, kampionët do të udhëtojnë drejt “Craven Cottage” për t’u përballur me Fulhamin vendës. Ndeshja e Kupës vjen në një periudhë tepër të ngarkuar për skuadrën e Fergusonit, që në mesjavë fitoi me vështirësi 2-1 në transfertën e Njukasëllit, duke çuar në shtatë pikë diferencën me ndjekësit Çelsi e Liverpul. Përveç kësaj, të martën e ardhshme, “djajtë e kuq” i pret një tjetër përballje e vështirë në “Old Traford”. Kundërshtari i radhës do të jetë skuadra kampione e Italisë, Interi, me të cilin dy javë më parë barazuan pa gola në “San Siro”. Nesër do të luhen edhe ndeshje të tjera të vlefshme për kupën e Anglisë. Kështu, Çelsi i Gus Hidink, do të udhëtojë drejt Koventrit, ndërsa Arsenal do të presë Bërnlin në “Emirates”, pasi e njëjta skuadër e eliminoi edhe nga “Curling Cup” në këtë ezon. Ndërsa sfida tjetër do të jetë ajo midis Evertonit e Midëllsbrout. Në këtë kompeticion, Junajtid mban rekordin e sukseseve (11 herë fitues) dhe në prag të përballjes të së shtunës, Ferguson mendohet të luajë pa emrat kryesorë, duke i kushtuar me tepër rëndësi ndeshjes së Ligës së Kampioneve. Kjo do të thotë se portieri Ben Foster dhe mesfushori Darron Gibson, të cilët shkëlqyen në finalen e “Carling Cup” me Totenhemin, do të luajnë si titullarë. Sfida pritet me entuziazëm të madh edhe nga Fulhami, që do të synojë kalimin në gjysëmfinale. Mbrojtësi, Pol Konçeski, finalist i kupës në radhët e Uest Hemit në ediconin e 2006-s, thotë se skuadra e tij do të bëjë të pamundurën përballë Mançesterit të yjeve. “Forma e skuadrës në kohët e fundit ka qenë e jashtëzakonshme - tha ai për uebsajtin zyrtar të klubit-. Po luajmë në çerekfinalen e Kupës së Anglisë kundër një prej skuadrave më të mira në botë dhe një sfidë të këtij niveli të gjithë lojtarët e presin me padurim. Mund të them se ditën e shtunë përballë Mançester Junajtid do të japim më të mirën tonë”. Ndërsa, Gus Hidink, i cili në fitoren 3-1 të Çelsit ndaj Uatfordit ishte thjesht spektator, shpreson për sukses të mëtejshëm në këtë kompeticion: “Kur isha larg Anglisë dëgjoja që njerëzit nuk flisin vetëm për Premier Ligë, por edhe për Kupën. Kështu që ky trofe është shumë i rëndësishëm për ne”, tha Hidink për sajtin zyrtar të Federatës Angleze.

No comments:

Post a Comment