19 March 2009

Inter kujdes, Ibra mund të largohet

Sulmuesi suedez mendon se skuadra zikaltër nuk ka cilësinë e duhur për të fituar në Champions
Kujdes Inter, Zllatan Ibrahimoviç po mendon të largohet. Dhe këtë herë nuk është një çështje parash. Ky mendim duket se po kultivohet prej javësh nga suedezi. Por shenjën e parë Zllatani e ka dhënë të dielën në mbrëmje pas atij komenti të bërë në përfundim të ndeshjes me Fiorentinën ku ai ka shënuar dy golat e vetëm të takimit: “Championsi i ardhshëm? Të shohim, duhet të shohim…”.
Dhe si garniturë sulmuesi ka dhuruar edhe një koment tjetër të hidhur: “Duhet të luajmë shumë më mirë. Loja që bëjmë ne tani mund të mjaftojë vetëm për të fituar kampionatin, jo Championsin”.
Fraza të rënda. Që nuk kanë ardhur nga një gjendje emocionale e momentit. Këto konceptet, tashmë, e përndjekin atë prej muajsh, por deri tani nuk kishte folur për to në publik. Në maksimum kishte folur për këtë çështje me miqtë e afërt. Por, zilja e alarmit ka rënë pas barazimit zhgënjyes 0-0 kundër Mançester Junajtedit në “San Siro”. Kështu agjenti i tij, Mino Rajola, ka dalë hapur në prag të ndeshjes së kthimit në Angli: “Askush nuk mund të mendojë ta mbajë Ibrën të lidhur me zinxhir tek klubi zikaltër”.
Vetëm deklarata? Jo, më shumë duken si maja e ajsbergut. Kush është afër Zllatanit betohet se tani sulmuesi e ka seriozisht. Ibrahimoviçi ka dëshirë të ndryshojë ambient, të përballet me një realitet të ri dhe të jetë në një skuadër që të luftojë rregullisht për Champions Ligën.
Në mënyrë që të ketë mundësinë ta fitojë me të vërtet Topin e Artë, të cilin e dëshiron shumë. Dhe duke parë se me Suedinë ka shumë pak shanse për të fituar diçka të rëndësishme, do t’i duhet t’i hedhë sytë vetëm nga klubi. Ibra nuk do të duket mosmirënjohës, por do t’i kërkojë Moratit të nxirret në merkato në fund të sezonit. Edhe pse mund të pësojë një humbje në aspektin ekonomik.
Por kjo nuk ka rëndësi për të. Rajola ka pasur kontakte më parë me klubin e Barcelonës. Me siguri katalanasit po kërkojnë të përforcojnë gjithnjë dhe më shumë sulmin. Unaza e dobët është pa dyshim Samuel Eto. Kamerunasit i skadon kontrata në vitin 2010-të dhe ka thënë haptaz se nuk ka ndërmend të rinovojë me klubin e Joan Laportës.
Edhe pse ai ka kërkuar një pagesë prej 8 milion eurosh, teksa për momentin fiton gjashtë. Eshtë e llogjikshme që Barcelona të kërkojë një shkëmbim me Ibrahimoviçin. Por si mund të arrihet kjo marrëveshje? Eshtë e arsyeshme të besohet se Interi do të fillojë nga një kërkesë prej 50 milion eurosh plus Etonë, gjithmonë nëse më pas do të arrihet marrëveshja ekonomike me sulmuesin kamerunas.

No comments:

Post a Comment