19 March 2009

Hipia: Shpresa vdes e fundit

Sami Hipia ka këmbëngulur se Liverpuli mund të fitojë Premier Ligën këtë sezon. “Të kuqtë” e Benitezit i mbajtën gjallë shpresat e tyre pas fitores së famshme 4-1 kundër kryesuesve të Mançester Junajtedit të shtunën që shkoi dhe tani kanë vetëm katër pikë më pak se kampionët, të cilët megjithatë kanë një ndeshje mangët.
Hipia beson se rezultati i arritur në fundjavë nga skuadra e tij mund të jetë një pikë kthese në sezon për të dyja skuadrat dhe ka refuzuar të pranojë se titulli është nisur tashmë drejt stadiumit “Old Trafford”. “E dinim se ndeshja kundër Junajtedit ishte shumë e rëndësishme dhe duhej fituar, pasi përndryshe titulli ishte i humbur për ne”, ka thënë Hipia.
“Për ne do të jetë prapë e vështirë t’i afrohemi Junajtedit më shumë, por të paktën kemi ngushtuar pak diferencën dhe do të shohim se çfarë mund të ndodhë. E vetmja gjë që mund të them me siguri është se do të luftojmë deri në fund.
Nëse nuk besojmë te fitimi i titullit, më mirë ta mbyllim sezonin që tani. Duhet të bëjmë maksimumin tonë dhe të marrim tri pikët, duke shpresuar që Junajtedi mund të lërë pikë. Duam të fitojmë ndeshjet në vijim dhe të zëmë vendin e parë në Premier Ligë. Shpresa vdes e fundit.”, ka shtuar Hipia i Liverpulit.

No comments:

Post a Comment