19 March 2009

Balak nuk dorëzohet: Dua titullin…

Mesfushori gjerman i Çelsit beson te suksesi i “bluve” në Premier Ligë: Në futboll nuk i dihet!
Mikael Balak ka paralajmëruar Mançester Junajtedin se Çelsi do të luftojë fort deri në fund të këtij sezoni për titullin. Skuadra e Hidinkut aktualisht ka katër pikë më pak se ajo e Fergusonit në një kohë kur beteja për kreun po hyn në faza interesante.
Blutë kanë në dispozicion vetëm nëntë ndeshje për të rrëzuar nga froni “Djajtë e Kuq”, kurse djemtë e Fergusonit kanë edhe një ndeshje më shumë për t’u shkëputur edhe më shumë. Beteja premton të jetë e fortë, ndërkohë që edhe Liverpuli ushqen shpresat e veta pas fitores 4-1 pikërisht kundër Mançester Junajtedit.
Djemtë e Benitezit treguan se nuk do të largohen aq lehtë nga lufta për titullin, që e presin prej vitesh. Balaku e ka bërë të qartë se Çelsi do të sfidojë kampionët deri në fund, kur matematikisht titulli të mos jetë vendosur.
“Nuk jemi skuadër që heq dorë lehtë. Do të na duhet shumë punë për të fituar ligën, por në futboll nuk i dihet kurrë”, ka thënë gjermani për gazetën “Daily Express”. “Për momentin duhet të kënaqemi me pozicionin që kemi.
Jemi duke i fituar ndeshjet tona dhe presim të vazhdojmë me këtë ritëm”, ka shtuar Balaku, i cili beson se një Didier Drogba i rinuar do të jetë vendimtar për fatet e skudrës për të ngushtuar diferencën me Mançesterin.
“Po shohim shenjat e Didierit të vjetër. Edhe pse Didieri është një lojtar me përvojë, si sulmues ke nevojë për më shumë besim sesa lojtarët e tjerë dhe ky besim manifestohet me gola. Sulmuesit duan të shënojnë dhe kur e bëjnë, ndihen mirë. Didieri tani është më i lumtur pasi po luan më shumë minuta në fushë. Eshtë gjë e mirë që ai është rikthyer në formë. Për të arritur formën më të mirë, duhet të luash, sidomos kur ke kohë pa luajtur.
Rikthimi i tij në formë do të jetë vendimtar për ne në pjesën e mbetur të sezonit, i cili për ne nuk ka mbaruar ende. Ndërrimi i trajnerit ka pasur efekt pozitiv. Tani duhet të vazhdojmë të fitojmë, pasi po kalojmë një moment të mirë.”, ka përfunduar Mikael Balak.

No comments:

Post a Comment