Fantazisti kilian i zikaltërve ka shpërthyer, duke sulmuar klubin dhe zgjedhjet e Mourinjos
Papritur shpërthen një çështje në shtëpinë e Interit. Jo, këtë herë, Ibrahimoviç nuk ka gisht. Emri i lojtarit është nga ata që nuk bëjnë shumë bujë, por shpërthimi ka ardhur dhe nuk duhet anashkaluar. Po flasim për Luiz Himenez, mesfushor i avancuar kilian, i cili ka përfunduar jashtë ekipit zikaltër pas disa aktivizimeve të pakta në disa ndeshje. Pak, shumë pak.
Deri në atë pikë sa është dukur i nevojshëm një rrëfim me zemër të hapur nga “Magjistari”: “Kam qenë në gjendje të mirë fizike që para Krishtlindjeve të kaluara, jam jashtë ekipit për zgjedhje teknike, - ka shpjeguar ai. - Duket se më kanë eleminuar pa u futur në fushë. Nuk arrij ta kuptoj arsyen. Jam i bindur se mund të përfaqësoj shumë mirë një alternativë teknike të rëndësishme dhe mund ta ndihmoj ekipin. Fakti që nuk ndihem i nevojshëm për skuadrën është gjëja që më bën të ndihem më keq. Ndonjëherë, gjatë seancave stërvitore, ndihem një fantazëm e vërtetë”.
Ajo që befason është pse ky shpërthim ka ardhur vetëm tani, me kampionatin që është drejt fundit. Himenez ka shpjeguar arsyet që e kanë bërë të qëndrojë në heshtje për disa muaj: “Për respekt të ekipit dhe klubit. Nuk doja të bezdisja asnjeri para Champions Ligës. Edhe ndeshja me Fiorentinën ka qenë shumë delikate. Pas kësaj, një gjë është e vërtetë: në këtë botë, respekti dhe edukata cilësohen si mungesë personaliteti. Një gjë kjo që më zemëron shumë: jam një djalë i mirë, i edukuar, por nuk jam budalla…”.
E ardhmja me fanellën zikaltër e ish-lacialit duket e kompromentuar në këtë pikë. Edhe duke menduar për sa ka ndodhur në muajin janar: “Kam kërkuar të largohem, por më kanë thënë se i duhesha Interit dhe se nuk bëhej fjalë që të largohesha. Një tjetër aspekt që nuk e kuptoj. Në fakt, nga ky moment, situata ime, befasisht, është përkeqësuar. Nuk dua të përjetoj kurrë një tjetër vit si ky. Por nuk dua të flas për merkato tani, sepse jam i bindur se mund të lë shenjën time edhe në këtë sezon”, ka thënë Himenez. Një sezon ku Kristian Kivu do të mungojë për të paktën një muaj, për shkak të problemeve fizike.
Mbrojtësi, i cili ka luajtur që nga minuta e parë me Fiorentinën pavarësisht gjendjes jo të mirë fizike, ka pësuar një përkeqësim të dëmtimit të mëparshëm, që do ta detyrojë lojtarin rumun të qëndrojë larg fushave për disa javë. Në lidhje me këtë, Mourinjo, do të duhet të përballet me kritikat e bëra nga trajneri i kombëtares së Rumanisë, Piturka: “Nëse nuk do ta kishte aktivizuar të dielën unë do të mund ta kisha aktivizuar me kombëtaren. Por Mourinjo ka këmbëngulur dhe tani Kivu është i dëmtuar”. Dhe fatkeqësisht kjo nuk është një gjë e re…
20 March 2009
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment