19 March 2009

Ferguson: Kam lojtarë të jashtëzakonshëm

Trajneri i Mançesterit është i kënaqur nga mënyra si futbollistët e tij kanë pranuar “rotacionin”
Sër Aleks Fergusoni, trajneri i Mançester Junajtedit, ka përgëzuar skuadrën e tij për qëndrimin e duhur, që ka mbajtur ndaj strategjisë së tij të rotacionit. Trajneri Ferguson e ka ndryshuar rregullisht skuadrën gjatë ndeshjeve të këtij sezoni për shkak të dëmtimeve dhe numrit të lartë të ndeshjeve që ka luajtur kjo skuadër.
Këto ndryshime nuk e kanë dobësuar ecurinë e Junajtedit dhe pretendimet e tyre për trofe, duke qenë se Mançesteri ka fituar tashmë Kuën e Botës për klube dhe Kupën e Ligës së Anglisë, ndërkohë që kryesojnë Premier Ligën, janë në gjysmëfinale të Kupës së Anglisë dhe në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Fergusoni ka pranuar se për të është e vështirë të lërë jashtë formacionit një lojtar që ka luajtur mirë një ndeshje më parë dhe i ka përgëzuar të tijtë për mënyrën se si e kanë pritur këtë rotacion.
“Qëndrimi dhe përkushtimi i lojtarëve ka qenë i mrekullueshëm, sidomos kur bëhet fjalë për të qëndruar në stol”, ka thënë Fergusoni. “Asnjëri prej tyre nuk ka thënë një fjalë proteste. Urrej t’i them një lojtari që ka për të ndenjur në stol, edhe pse një ndeshje më parë ka qenë i mrekullueshëm. Nuk është e këndshme, por fakti që lojtarët më kuptojnë, më ndihmon.
Kam futbollistë të jashtëzakonshëm”, ka shtuar shefi i Junajtedit, i cili ka lavdëruar edhe formën e Xhon O’Shisë, irlandezit që ka nisur të luajë rregullisht si mbrojtës i djathtë kohët e fundit. “Ndihem i bekuar që kemi lojtarë si Xhon O’Shi, i cili po jep më shumë se ç’pritet prej tij në ndeshjet e fundit. Xhoni ka shkëlqyer si titullar dhe jam i sigurt që nëse i kërkoj të luajë në sulm, ai do të shënonte edhe gol. Eshtë e mrekullueshme të kesh lojtarë të tillë që përshtaten dhe kjo është një prej armëve tona në këtë fund sezoni”, ka përfunduar trajneri i Junajtedit.

No comments:

Post a Comment