22 April 2009

Reali ruan shpresat për titull

Mbretërit nga Real Madridi kanë shënuar fitore mjaft të vështirë kundër Getafes për të mbajtur gjallë shpresat për titull.
Takimi i zhvilluar të martën mbrëma në Santiago Bernabeu, ndërmjet Real Madridit dhe Getafes, ka përfunduar me fitoren prej 3-2 të Los Blancos.

Të parët kaluan në epërsi mysafirët (10’) me një gol të Soldados, mirëpo pa përfunduar pjesa e parë (45’+1), vendasit barazuan shifrat me anë të Gonzalo Higuain.

Edhe në pjesën e dytë, ishin sërish mysafirët ata që krijuan avantazhin me anë të Juan Albin kur po shkonte minuta e 83-të, por mbretërit në lojë i ktheu Guti, i cili barazoi rezultatin pas vetëm tre minutash (86’).

Drama e vërtetë u zhvillua në minutat e fundit të ndeshjes, kur Iker Casillas mbrojti penalltinë e Casqueros (89’), ndërsa Gonzalo Higuain shënoi golin e fitores në minutat shtesë të ndeshjes (90’+3) për ta ndezur atmosferën në Bernabeu, kur kihet parasysh se pak minuta më parë (88’) Pepe u përjashtua me karton të kuq.

Me këtë fitore, Reali afrohet vetëm në tre pikë prapa Barcelonës që të mërkurën e zhvillon ndeshjen e vështirë kundër Sevillas.

No comments:

Post a Comment