Derbi i dytë i javës së 33-të në La Liga, i zhvilluar në Sanchez Pizjuan ndërmjet Sevillas dhe Real Madridit, ka përfunduar me fitoren e Los Merengues me rezultat prej 4-2.
Mbretërit e filluan ndeshjen me skuadër të përgjysmuar duke llogaritur mungesat e tilla si ajo e Heinzes, Pepes, Robbenit dhe Sneijderit, por duhej të shënonin fitore me çdo kusht për të ngushtuar diferencën e pikëve me Barcelonën, e cila të shtunën mbrëma barazoi në Mestalla kundër Valencias.
Pjesa e parë
Në gjysmën e parë të takimit skuadra vendase tregoi lojë shumë më të mirë, sidomos në 25 minutat e para, kur Los Blancos nuk vëreheshin në fushë.
Pikërisht në këto minuta të para erdhi goli i parë në ndeshje i shënuar nga Renato (17’).
Përveç golit të shënuar andaluzianët shpërdoruan edhe disa raste të mira për të krijuar avantazh më të lartë, mirëpo nuk e arritën këtë gjë duke mos qenë të saktë përballë Iker Casillasit.
Nga ana tjetër, për mysafirët dy raste shumë të mira i pati Gonzalo Higuain (30’ dhe 31’), i cili u tregua vetjak dhe i pasaktë përballë Palop.
Në sekondat e fundit të pjesës së parë, legjenda e Real Madridit, kapiteni Raul Gonzales barazoi shifrat, pas një krosimi të ulët të Christoph Metzelder dhe me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim.
Pjesa e dytë
Në pjesën e dytë Reali u tregua skuadër më e mirë dhe më stabile në fushë dhe kjo rezultoi edhe me shënimin e tre golave.
Ishte sërish simboli i Los Blancos, Raul, lojtari i cili e mposhti për të dytën herë portierin Palop (63’), për t’ia dhënë avantazhin skuadrës mysafire.
Tre minuta më vonë (66’), Raul Gonzalez Blanco kompletoi hat-trickun e tij pas një gabimi të portierit vendas, i cili ia dhuroi një top kapitenit madrilen.
Dhjetë minuta pa përfunduar koha e rregullt e takimit (80’), i inkuadruari në lojë në pjesën e dytë Diego Capel, ngushtoi epërsinë në 3-2, pas një gabimi të ish-lojtarit të Sevillas, Sergio Ramos.
Në minutat shtesë të takimit (90’+2), Marcelo shënoi golin e katërt për Realin, i cili fundosi shpresat e Sevillas për barazimin e rezultatit.
Me këtë fitore, Real Madridi ngushton diferencën në vetëm katër pikë me liderin e La Ligas, Barcelonën, për të shpresuar për një fitore në El Clasico që zhvillohet javën e ardhshme në Santiago Bernabeu.
27 April 2009
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment