21 April 2009

Pep Guardiola: Një marshim spektakolar

 Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, pranoi se i është rritur besimi te suksesi në këtë sezon, duke parë mënyrën si skuadra e tij i trajton ndeshjet. “Gjigandët” katalanas kanë pasur një ecuri rekord deri në këtë pikë të sezonit dhe mund të futen në histori nëse vazhdojnë kështu edhe në muajin e fundit. Lajmet e mira për Guardiolën vijnë nga fusha e lojës, atje ku Barcelona nuk e heq këmbën nga gazi dhe në Getafe fitoi ndeshjen e gjashtë rradhazi, të gjashtën pa pësuar gol. “Mënyra sesi skuadra po luan më bën të jem i qetë për muajin e fundit dhe vendimtar të sezonit, - tha Guadriola pas fitores në “Koliseum”.

- Çdo fitore është e rëndësishme, por nuk mund ta fshehim se secila nga shtatë ndeshjet që na kanë mbetur janë si sfida finale. Në të ardhmen do rritet vlera e çdo suksesi. Po bëjmë një marshim spektakolar”. Rezultati 1-0, me golin e shënuar nga Lionel Mesi në pjesën e parë, mund të tregojë se Barça vuajti në një nga fushat tredicionalisht armike për të, por në të vërtetë katalanasit dominuan në të gjitha aspektet.

Portieri i Getafes Vladimit Stojkoviç ishte futbollisti më i mirë i ndeshjes dhe pritjet e tij shpëtuan vendasit nga një humbje më e thellë. Guardiola ankohet për faktin që lojtarët e tij nuk e mbyllën ndeshjen. “Unë mendoj se do të kishim fituar me më shumë gola diferencë. Eshtë e vërtetë që Getafe nuk goditi asnjëherë portën tonë në pjesën e dytë, por një gol i dytë do të më kishte lënë më të qetë. Po e shijoj në fund këtë fitore”.

Barcelona është gjashtë pikë mbi Realin e Madridit dhe mund të bëhet skuadra e parë spanjolle që fiton gjithçka të mundshme. Ata kanë arritur në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve dhe në finalen e Kupës së Mbretit. Nëse të besuarit e Guardiolës shënojnë 20 gola në shtatë ndeshjet e mbetura, atëherë do të thyejnë rekordin e Realit të Madridit, që në sezonin 1989/90 shënoi 107 gola gjatë një kampionati. Gjithsesi, Guardiola qëndron me këmbë në tokë.

“Detyra jonë është të fitojmë një titull, të tjerët janë shpërblime nëse e meritojmë,” - tha ai. Javët e ardhshme do të jenë vendimtare për Barcelonën ku do të ndeshet me Seviljen, Valencian, Realin e Madridit dhe Vilarealin (në kampionat), Çelsin (në Champions) dhe Bilbaon (në Kupën e Mbretit). Sulmuesi argjentinas Lionel Mesi tha: “E dimë që ka mbetur shumë pak nga fundi i sezonit dhe se këto janë ndeshjet më të rëndësishme. Kryesorja është që ne fituam ndaj Getafes dhe morëm tri pikët që kishim nevojë”.

No comments:

Post a Comment