04 April 2009

Brigel: Shqipëri,vij unë dhe të nxjerr nga kriza

I ka ngelur fiksim kontrata e rinovimit që i ofroi FSHF pak kohë para se të ikte. Ka ngelur shumë i zhgënjyer, madje kritikon edhe njëherë se dy zv.presidentët e Federatës ia kishin bërë me hile në atë kontratë. "Mund të isha trajner i Shqipërisë edhe sot, por kushtet në kontratën e rinovimit, ishin skandaloze, ndaj nuk rinovova. Për Dukën kam shumë respekt, por asistentët e tij kishin përpiluar një kontratë të papranueshme për asnjë trajner dhe jam i zhgënjyer nga ata", ka thënë ish-trajneri i Shqipërisë, Hans Peter Brigel për "Panorama". E megjithatë, ai është gati të rivishet kuqezi, nëse do të marrë ndonjë ofertë konkrete nga zyrtarët e Federatës. Trajneri gjerman beson se përfaqësuesja shqiptare tani ka lojtarë më të mirë nga sa ka pasur ai në dispozicion dhe është i çuditur me ecurinë e kuqezinjve gjatë këtij edicioni.
Mister, ai keni parë dy ndeshjet e fundit të Shqipërisë?
Jo, të them të drejtën nuk i kam parë. Thjesht jam informuar për rezultatin dhe e di që përveçse keni humbur me Hungarinë dhe me Danimarkën, keni luajtur shumë dobët. Këto i kam lexuar në shtypin e shkruar për të qenë i sinqertë, pasi ndeshjet nuk i kam parë. Më vjen keq, për këtë sepse edhe unë ndihem pak shqiptar tani dhe dëshiroj që Shqipëria të ecë mirë gjithmonë.
Shqipëria ndodhet në vendin e parafundit me gjashtë pikë të grumbulluara dhe ky konsiderohet një edicion i dështuar për Kombëtaren tonë, ju si mendoni?
Për një skuadër si Shqipëria, gjashtë pikë të grumbulluara janë pak. Nuk do ta thosha këtë, nëse ju nuk do të kishit zhvilluar të katërta ndeshjet me Maltën dhe Hungarinë, por në këto rrethana unë mendoj se janë vërtetë pak. Me sa di unë i keni humbur të dyja ndeshjet me Hungarinë, ndërsa me Maltën barazuat në ndeshjen e dytë. Kjo padyshim që ju ka sjellë probleme dhe mendoj se tani do ta keni shumë të vështirë për të rikuperuar pikët e lëna. Për mua është e çuditshme ecuria e skuadrës tuaj këtë edicion.
Në qendër të kritikave është trajneri Ari Han, madje në Shqipëri kërkohet largimi i tij, ju si mendoni?
Ari Han është një trajner i mirë dhe me shumë eksperiencë. Unë nuk mund t'ju them ju nëse duhet të qëndrojë ai apo jo. Ai ndoshta nuk ka shumë faj. Megjithatë, për sa i përket emrave të futbollistëve, mund të them se Shqipëria ka një ekip më të mirë se ajo që unë drejtoja para tri vitesh. Për këtë jam i sigurt.
Pse?
Sepse ekipi është më i ri dhe një pjesë e lojtarëve kanë shumë eksperiencë në arenën ndërkombëtare. Një pjesë e tyre gjithashtu kanë vite që luajnë bashkë me njëri tjetrin. Për këtë mendoj se tani keni një skuadër më të mirë.
Meqë jemi te emrat, Ari Hani në dy ndeshjet e fundit ka lënë jashtë Bogdanin dhe Kapllanin...
Unë i njoh të dy këta lojtarë dhe i njoh shumë mirë. Ndoshta ata nuk janë duke kaluar ndonjë formë të mirë, por gjithsesi luajnë në skuadra të niveleve të larta dhe unë nuk mendoj se ju keni shumë të tillë në skuadër, sa që të t'i lini jashtë këta të dy.
Po të kishit dështuar në një edicion ende pa e mbyllur atë dhe të kishit gjithë opinionin sportiv, por edhe tifozët kundër, si do të vepronit?
Nuk e di. Nëse do ta shikoja se nuk kisha se çfarë t'i jepja më skuadrës, atëherë do të largohesha, por nëse do të shikoja se rezultatet nuk tregonin punën time reale dhe se ekipi thjesht nuk ka pasur fat, atëherë do të qëndroja.
Ju e quani mungesë fati faktin që Shqipëria nuk ka shënuar asnjë gol në pesë ndeshjet e fundit?
Eh, kjo është shumë dhe është e çuditshme. Në kohën time skuadra shqiptare luante shpesh në sulm, ose të paktën gjithnjë kanë qenë në fushë dy qendërsulmues të mirëfilltë. Kjo nuk është pak për një skuadër të nivelit të Shqipërisë.
Nëse do t'ju bënin një ofertë, a do të pranonit të ktheheshit në krye të Kombëtares shqiptare?
Po, patjetër që po. Tani jam ende në gjyq me Ankaraguçunë dhe me të kam kontratë deri më 30 qershor. Më pas jam i gatshëm që të vij sërish aty. Në Shqipëri kam kujtime shumë të mira dhe e di se aty ka lojtarë cilësorë me të cilët mund të ndërtohet një skuadër për t'u pasur zili.

No comments:

Post a Comment