19 March 2009

Spaleti e Toti, të ndarë mbi të ardhmen

Kapiteni është shumë afër rinovimit të kontratës me klubin, por trajneri i Romës është skeptik
Jehona e komenteve spaletiane mbi Françesko Totin dhe të ardhmen e tij, në vend që të shuhej menjëherë në përfundim të ndeshjes Sampdoria-Roma, ka provokuar një valë të madhe efektesh, të gjitha për t’u vlerësuar. Kapiteni verdhekuq nuk i ka pritur mirë fjalët e trajnerit, mbi të gjitha tani që është në bisedime për kontratën e re me klubin. Çfarë kishte thënë trajneri?
Asgjë ofenduese. Madje, pothuajse një gjë normale, nëse nuk do të flitej për një lojtar që për Romën është një simbol. “Duke parë dëmtimet, Roma do të vazhdojë ta konsiderojë Totin në qendër të projekteve të saj?”, është pyetur Spaleti.
“Do të duhet të flasim më gjatë për këtë në fund të sezonit, - përgjigja e trajnerit -, por shpresoj që Toti të jetë akoma i disponueshëm për një kohë të gjatë”. Më pas në konferencën për shtyp, atyre që kishin frikë se do të mungonin si kapiteni ashtu edhe De Rosi në ndeshjen kundër Juves, i është përgjigjur: “Ju në Romë mendoni se nuk mund të luhet futboll pa Totin dhe De Rosin, por nuk është kështu”. Atëherë rikthehet pyetja: pse? Shpjegimet zyrtare kanë qenë dy. 1) Toti (bashkë me De Rosin, Panuçin) është një nga të paktit që përballet (ndonjëherë) me një karakter të fortë si Spaleti. Drejtuesit e tjerë janë më të gatshëm për të hapur rrugë. 2) Nga pikëpamja mjekësore dhe ajo e përgatitjes Françesko Toti punon vetëm, dhe kjo ndoshta nuk pëlqehet nga ata që komandojnë.
Një gjë është e sigurt: rinovimi i kontratës së Totit nuk do të varet nga Spaleti. Françesko është i bindur, në aspektin e jetëgjatësisë sportive, se mund të jetë Inzagi i verdhekuqve. Kështu që dëshira e tij do të ishte ajo që të luante deri në 2014-ën, me premtimin se, nëse do të shikonte se nuk rrezistonte dot më, të ndalej, duke kaluar në rolin e drejtuesit. Duke bërë këtë ai do të ishte i gatshëm të pranonte një ulje prej 10-20% të rrogës, edhe pse shumë nga kontratat e firmosura nga klubi (tv, sponsori, miqësore) sjellin më shumë fitime pikërisht nga prezenca e kampionit. Një kampion që bën rimë me Romën. Spaleti do të kuptojë.

No comments:

Post a Comment