24 March 2009

Milan, në rrezik vendi i tretë

Një pikë për kokë, si shokë të mirë që janë. Roberto dhe Karleto dalin nga “San Paolo” pa dëmtuar njëri-tjetrin, por Ançeloti e di shumë mirë se po të kishte qenë një ndeshje boksi rezultati do të kishte qenë pozitiv për Donadonin. Dhe nuk mund të bëjë gjë tjetër veç se të shikojë me shqetësim ekipet e tjera që po afrohen në renditje në zonën Champions. Skuadra është dukur e fikur. Në pjesën e dytë ka luajtur vetëm Napoli. I freskët, agresiv, i bindur. Dhe duke parë se as në pjesën e parë Milani nuk kishte bërë ndonjë gjë të madhe barazimi ka ardhur si pasojë e shënjestrës së keqe të Zalajetës dhe Lavecit, që kanë pasur rastet më të mira. Kuqezinjtë duhet të falenderojnë edhe fatin, që është paraqitur në formën e një gabimi të arbitrit anësor Grili, i cili ka anulluar për pozicion jashtëloje një gol të Hamsik, në fundin e pjesës së parë. Aksioni klasik është e vështirë të vlerësohet brenda një sekonde, por goli ishte i rregullt. Kështu që ky episod është i rëndësishëm. Dhe në fundin e ndeshjes ka bërë të shpërthejë kundër Galianit zemërimi i një grupi tifozësh napoletanë.VITET 80 - Një stadium i mbushur plot, është rikthyer atmosfera e viteve 80-të. Përtej momenteve që të sjellin në mend kujtime të bukura të ndeshjeve të kaluara, është zhvilluar një pjesë e parë pak e ngadaltë. Donadoni i jep hapësirë Maninit, i cili ka një dëshirë të madhe për të vrapuar dhe të pëlqehet nga publiku: në fund do t’ia dalë mbanë. Grava preferohet ndaj Montervinos, më pas është ekipi i zakonshëm i Rejas. Por me një shpirt loje të ndryshëm. Përballja fillon me tifozët që kanë nxjerrë sllogane që përshëndesnin trajnerin e vjetër dhe polemizojnë me klubin. Por në fund 60 mijë të pranishmit do të duartrokasin skuadrën dhe drejtuesin e saj të ri: momenti negativ duket se ka kaluar.NJE GODITJE NE PORTE - Napoli ka qenë i kujdesshëm përpara dhe i ka lënë shumë pak hapësira Patos dhe Sedorfit: vetëm një goditje e hollandezit drejt portës në minutën e 31-të do të bjerë në sy për kuqezinjtë në 45 minutat e para. Pikërisht pas këtij rreziku ka filluar të rritet skuadra vendase dhe Milani ka humbur terren. Katër aksionet e rrezikshme, që kanë arritur kulmin në devijimin fitues të Hamsik një metër larg portës, kanë qenë prologu i një pjese të dytë të kontrolluar totalisht nga të kaltrit. Ançeloti për të ndryshuar lojën e parashikueshme dhe statike të ekipit të tij ka aktivizuar edhe dy Topat e Artë, që ishin në stol. As Kakà, as Ronaldinjo nuk janë në maksimum, por është e drejtë të besosh në një magji të tyre. Gjithsesi, Napoli i kontrollon shumë mirë dhe sulmon me vazhdimësi.NDRYSHIMI - Ançeloti pasi ka ndryshuar gjatë lojës skemën 4-3-2-1, ka urdhëruar Kakanë të luajë si qendërsulmues. Por as ai, ashtu si Inzagi para tij, nuk mbështetet siç duhet nga një skuadër që tashmë kërkon vetëm të sigurojë një pikë. Napoli të jep më shumë se një herë përshtypjen se do të shënojë nga momenti në moment, por ka gabuar në finalizimin e aksioneve. Tek Milani, Bekhami ka tentuar të befasojë vendasit. Në minutën e parafundit të takimit, me një goditje dënimi: Navarro ka evituar dëmin dhe gjithçka është mbyllur në paqe.

No comments:

Post a Comment