21 March 2009

Bajerni gjen Riberinë, zbutet “kriza”

Francezi kthehet në dispozicion të Klinsmanit për ndeshjen kundër Karlsruhes, teksa Toni dhe Kloze janë “k.o.”
Tentativa e Bajernit të Mynihut për të mbrojtur titullin kampion në Bundesligë kanë marrë një shtysë tjetër pas rikthimit të organizatorit Frenk Riberi nga dëmtimi. Bajerni, që pret skuadrën e Karlsruhes nesër, nuk ka arritur kurrë të jetë në vend të parë këtë sezon nën drejtimin e Klinsmanit dhe kur kanë mbetur vetëm 10 ndeshje, Bajerni është në vendin e dytë me katër pikë më pak se kryesuesit e Hertës së Berlinit. Gjatë mungesës dyjavore të Riberisë, Bajerni u kualifikua për në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve dhe fitoi dy ndeshje radhazi në kampionat. Rikthimi i tij përkon me dëmtimin e Miroslav Klozes, i cili do të jetë për gjashtë javë jashtë fushave. Mungesa e sulmuesit Kloze për shkak të një dëmtimi në kavilje pason atë të italianit Luka Toni, i cili ka katër javë që nuk luan.
Kështu, Lukas Podolski ka mbetur i vetmi lojtar në formë për Bajernin. “Besojmë se Frenku mund të luajë sërish (nesër)”, ka thënë menaxheri i përgjithshëm i Bajernit, Uli Hënes. Riberi, vendimtar në triumfin e Bajernit në kampionat dhe kupë sezonin që shkoi, është ankuar për mbrojtjen e lëkundur të Bajernit këtë sezon, e cila e pengon lojën e tij sulmuese duke e detyruar të kthehet pas për të marrë topin. Kundër skuadrës së fundit në renditje, Karlsruhes, francezi do të luajë rolin e tij të mesfushorit sulmues me Podolskin ose Luka Tonin në sulm, nëse ky fundit mund të luajë.
Kryesuesit e Hertës së Berlinit, me 49 pikë, shkojnë në fushën e Shtutgartit në një test të vështirë për miqtë, të cilët janë në ndjekje të titullit të parë kampion që prej vitit 1931. Shtutgarti, që nuk ka humbur ndeshje që prej nëntorit të shkuar, u mund 4-0 nga Verder Bremeni javën e shkuar. Herta ka qenë shumë efikase këtë sezon, shpesh duke i fituar ndeshjet edhe me pak fat në fund. Sulmuesi i saj Andrij Voronin është në formë të shkëlqyer, me një partner si Marko Panteliç, po aq në formë.
“Të paktë kanë qenë ata që në fillim të sezonit e kanë menduar Hertën se do të luante kështu”, ka thënë Babeli i Shtutgartit, i impresionuar nga loja e tyre. Skuadra befasi e Volfsburgut mund të jetë me pikë të barabarta me Bajernin nëse fiton ndeshjen e saj të shtatë radhazi kundër Arminias së Bilefeldit, që nuk ka humbur prej katër ndeshjesh. Dyshja sulmuese e Volfsburgut, Grafite dhe Edin Xeko, që kanë shënuar së bashku 30 gola në ligë, janë një sfidë e fortë për mbrojtjen e Arminias. Grafite, i cili ka shënuar 17 gola këtë sezon, ka nevojë për një gol për të dalë në krye të tabelës së golashënuesve së bashku me Vedad Ibiseviçin e Hofenheimit, i cili nuk do të luajë më këtë sezon.

No comments:

Post a Comment