
Sulmuesi i Barcelonës, Tieri Hanri ka mbetur i kënaqur nga shorti, që u hodh në Nion të Zvicrës, pasi Barcelona do të ndeshet me Bajernin e Mynihut dhe jo me ish-klubin e tij, Arsenalin, për çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. “Nuk doja që të luaja kundër Arsenalit”, ka thënë Hanri në një konferencë për shtyp. Arsenal do të ndeshet me spanjollët e Vilarealit, duke përsëritur edhe një herë gjysmëfinalen e vitit 2006, kurse Barcelona do të përballet me Bajernin. Ndeshjen e parë, katalanasit do ta luajnë në shtëpi më datë 8 prill, ndërsa takimi i kthimit është më 14 prill. “Do të jetë një ndeshje tejet e vështirë, pasi ata kanë shënuar shumë shumë gola në turin e kaluar”, ka thënë Hanri, duke iu referuar fitores së përgjithëshme 12-1 që arritën bavarezët përballë portugezëve të Sportingut të Lisbonës. “Klubet angleze duken më të rrezikshme, por në futboll mund të ndodhë çdo gjë. Edhe Bajern është një klub i madh evropian, prandaj duhet bërë kujdes. Gjermanët kanë shumë lojtarë të mirë, të cilët bëjnë diferencën”. Hanri, gjithashtu, tha se patrioti i tij, Frenk Riberi është në të njëjtat nivele me sulmuesin argjentinas Lionel Mesi. “Lojtarë të tjerë, të cilët duhen pasur kujdes janë Luka Toni dhe Miroslav Klose, i cili po rikuperohet nga një dëmtim në kavilje. Pa harruar as mesfushorin Bastian Shvajnshtajger”, përfundoi Hanri. Ndërkaq, presidenti i Barcelonës, Huan Laporta nuk ka mbetur shumë i kënaqur: “Ndihem pak i hidhëruar që shorti na vuri përballë Bajernit, pasi kemi marrëdhënie të shkëlqyra me ata. Do të jetë shumë e vështirë, pasi do ta luajmë ndeshjen e kthimit jashtë dhe kjo e bën sfidën më të vështirë. Do të jetë natë magjike”.
No comments:
Post a Comment