01 March 2009

FSHF dënon dhunën ndaj gjyqtarëve

Federata Shqiptare e Futbollit ka dënuar këtë të diel, ngjarjet e ndodhura në dy ndeshje të kategorisë së parë, Tërbuni – Kastritoti dhe Saranda – Memaliaj Me anë të një deklarate për shtyp, ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj gjyqtarit kryesor të ndeshjes Tërbuni – Kastritoti, Mentor Sopjani dhe ndihmësve të tij. Gjyqtari kryesor, aktualisht ndodhet në spitalin e Pukës i plagosur, por jashtë rrezikut për jetën. FSHF ka dënuar gjithashtu edhe aktet e dhunës, me pasojë goditjen e një futbollisti me gur në kokë, në ndeshjen mes Sarandës dhe Memaliajt. Sipas FSHF-së, "akte të tilla cenojnë jo vetëm futbollin dhe imazhin e tij, por prishin edhe bukurinë e lojës". Federata Shqiptare e Futbollit u ka kërkuar forcave të rendit, klubeve dhe sportdashësve e tyre, të ruajnë qetësinë dhe të mbajnë një qëndrim “Fair Play”. “Futbolli është një lojë për të kënaqur dhe për të treguar vlera dhe jo për të degjeneruar në një formë të tillë, aq më tepër kur bëhet fjalë për pasoja për jetën. Brenda lojës, mund të ketë edhe gabime, por asnjëherë ato s’mund të bëhen shkak për të arritur në nivele të tilla dhune”, theksohet në deklaratën e FSHF-së

No comments:

Post a Comment