21 March 2009

Arsenali, “fabrika” e futbollistëve…

“Topçinjtë” fitojnë shifra rekord nga shitja e biletave dhe futbollistëve kudo në botë
Nëse i hedhim një vështrim skuadrës së Arsenalit dhe modelit të saj, është normale të mbetemi të magjepsur nga lehtësia me të cilën ky klub arrin të formojë talente, t’i rrisë ata dhe t’i nxjerrë në fushë me skuadrën e parë dhe sërish të mbetet kompetitive në arenën angleze dhe ndërkombëtare. Siç ka pohuar kohët e fundit edhe Klaudio Ranieri, për sektorin e të rinjve ky klub harxhon më shumë para sesa disa skuadra të Serisë A harxhojnë në merkatot e tyre. Ja disa shifra: Vjet, sektori i të rinjve të Arsenalit ka shpenzuar thuajse 10 milionë euro për transferimet dhe verën që shkoi kartoni i Aron Ramseit u pagua 7 milionë euro.
Një politikë që po jep frytet e veta, nëse mendohet për lojtarë si Fabregas ose për vetë faktin se në Premier Ligë aktualisht luajnë 44 lojtarë që kanë ardhur nga të rinjtë e Arsenalit. Për të mbetur përherë të rinj sigurisht që duhen edhe para. Punimet për ndërtimin e “Emirates Stadium” kanë kushtuar mbi 450 milionë euro, por ishte një biznes me leverdi. Që kur Arsenali luan në stadiumin e ri, nga biletat janë nxjerrë mbi 120 milionë në sezon. Asnjë stadium tjetër në Evropë nuk arrin të nxjerrë kaq shumë para nga stadiumi i vet. Falë stadiumit të ri, Arsenali e ka kthyer në pozitiv bilancin e vet, me 64 milionë euro fitim në dy vjet dhe ka siguruar të ardhmen e skuadrës së parë dhe të të rinjve.

No comments:

Post a Comment